Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja Nikolla në Gjirokastër në kuadër të bashkëqeverisjes me qytetarët: Shkollat, qendra referimi për komunitetin

Bashkëqeverisja me qytetarët u zhvendos këtë herë në Gjirokastër ku ministrja e arsimit, sportit dhe rinisë së bashku me ministrën e kulturës Mirela Kumbaro, njëherësh deputete  në këtë qark, zhvilluan një seri takimesh me përfaqsues te Drejtorisë Arsimore Rajonale te Gjirokastrës, Zyrës Arsimore te Tepelenës e Përmetit si dhe mësues e nxënës.  Ndalesën e parë ministrja e arsimit e pati ne shkollen e mesme “Siri Shapllo” nga ku ajo foli per standardizimin e shkollës së drejtorëve si modeli më bashkëkohor i funksionimit në të gjithë vendet e zhvilluara. Ky projekt synon që të në të ardhmen çdo drejtor aktual i një shkolle apo kushdo tjetër që aspiron te jetë drejtues i një institucioni arsimor të ketë kaluar nga kjo shkollë formimi.

Në vijim të takimeve të saj në Gjirokastër, ministrja e arsimit, sportit dhe rinisë u ndal tek shkolla e mesme “Asim Zeneli”, me një traditë 90 vjeçare, ku kanë formësuar dijet e tyre dhe gjenitë e letërsise shqipe, si Kadare dhe Agolli. Pikërisht në vlerësim të kësaj tradite të mirë shkollimi dhe të këtij institucioni muze për nga historia qe mbart, ministrja e arsimit dha  lajmin e mire, gjate bashkëbisedimit me nxënës e mësues te shkollës, për rikonstruksionin e plotë të kësaj godine. Ministrja Nikolla kërkoi angazhimin e të gjithë mësuesve dhe prindërve në mënyrë që shkolla te shëndrrohet në një qendër komunitare, ku të diskutohen dhe t’i jepet zgjidhje të gjitha problemeve të komunitetit. Duke u ndalur tek rritja e cilësisë së mësuesve, ministrja e arsimit foli per ndërtimin e një skeme të re kualifikimi me kritere më të forta në programin e mësuesisë në universitete.

Më tej, ministrja e arsimit, sportit dhe rinisë vizitoi dhe një nga investimet më të mira të bëra në institucionet arsimore, shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë. Përpara mësuesve të kësaj shkolle, ministrja Nikolla u zotua se gjatë këtij mandati të dyte të kësaj qeverie fokusi do të jetë tek mësuesit. “Ne kemi marrë angazhim në 100 ditët e para që të kualifikojmë të gjithë ata mësues që dolën me nevoja emergjente pas testimit që realizuam. Ndërkohë që kualifikimet dhe trainimet kanë vazhduar me një specifikë të veçantë që lidhet me kurrikulën e re. Njëherësh ministria e arsimit ka organizuar disa tryeza të rrumbullakta dhe 2 konferenca ndërkombëtare si dhe shumë vizita studimore modelesh, për të ngritur një sistem të ri të kualifikimit në vazhdim, që synon të sjellë një transformim rrënjësor dhe një qasje të re.” –theksoi ministrja Lindita Nikolla. Ajo nënvizoi se qëllimi i kësaj reforme është që të ndryshoje mentalitetin e kualifikimit të mësuesve, të cilët deri më sot kanë kërkuar trainimet vetëm sa për të marrë kreditet e nevojshme 1 herë në 5 vite, por ky kualifikim duhet të jetë i orientuar kah nevojave që shkolla dhe klasa ka në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies.