Ministria e Arsimit dhe Sportit

Nisma Oficerët e Sigurisë në Shkolla, ka hyrë në javën e dytë të zbatimit të tij në shkollat e Tiranës. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka inspektuar zbatimin e kësaj nisme në shkollën “Eqerem Çabej” ku takoi Juela Tufën, oficeren e sigurisë e atashuar pranë kësaj shkolle. Ministrja e cilësoi javën e parë të këtij projekti pilot si një javë të mbarë, bazuar nga të dhënat e marra nga 15 gjimnazet e Tiranës, si nga mësuesit por edhe nga prindërit e nxënësve.

“Besoj që duhet ripërmendur edhe njëherë fakti që edhe nxënësit e thonë, që i shohin si miq për të mësuar në një mjedis më të sigurt, mësuesit po ashtu i shohin si miq të mirë për të mundësuar siguri edhe në ato ambiente ku mësuesi nuk është prezent, drejtuesit e shkollës po ashtu, por besoj që të gjithë bashkë do të bëjnë të mundur atë që mbetet misioni i shkollës, mbetet misioni i mësuesit, një mjedis i sigurt për të mirë arsimuar dhe mirë edukuar nxënësit.”- deklaroi Nikolla

Suksesi i javës së parë le vend për besim që ky projekt të marr shtrirje edhe më të gjerë në shkolla.

“Ky projekt do të ketë shtrirje. Ne po inspektojmë dhe marrim çdo ditë informacione që vijnë nga drejtuesit e 15 gjimnazeve në Tiranë ku është implementuar. Po ashtu edhe nga psikologët e shkollave, sepse sigurisht psikologët janë ata që menaxhojnë të gjithë sjelljet psiko-sociale të nxënësve edhe në rastet kur ka dhunë të gjithfarëshe, por nga ana tjetër oficerët e sigurisë mundësojnë mjedise që nxënësit të ndihen shumë më të qetë qoftë edhe psikologjikisht, për të mësuar atë që ata dëshirojnë, një cilësi në nxënie apo dhe në edukim ashtu sikurse dhe një jetë kulturore gjithnjë e më të pasur në shkollat tona. Është një projekt që në fund të Qershorit ne do marrim gjithë informacionet e para.

15 oficerë sigurie janë tashmë në javën e dytë të punës së tyre në 15 gjimnazet e Tiranës për të ofruar më shumë siguri për të rinjtë por edhe më shumë qetësi për prindërit e tyre. Projekti pilot po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.{:}