Ministria e Arsimit dhe Sportit

Për t’u siguruar se nisja e vitit shkollor do të jetë në kushte sa më optimale për nxënësit në këtë shtator,  ministrja e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë kanë zbritur në terren për të inspektuar kushtet higjieno-sanitare në shkollat e Fierit.  Ministrja Nikolla apeloi ndaj institucioneve përgjegjëse për kontrolle rigoroze në institucionet e dijes ndërsa kërkoi nga kolegët mësues dhe drejtuesit e shkollave që të kujdesen për shpërndarjen e librave në kohë por edhe me sistemimin e ambienteve shkollore që fëmijët të gjejnë çdo gjë gati ditën e parë të shkollës.

Ne jemi bashkë për të vijuar detyrën dhe me gjithë vëmëndjen maksimale në mënyrë që kjo javë të jetë javë jo vetëm e realizimeve e detyrave të lëna nga inspektorati, por gjithë jemi në kushtet  optimale të zhvillimit të përgjegjësive arsimit, shëndetësia, pushetit vendor për të mundësuar që 17 shtatori në të gjitha shkollat të kemi realizuar kushtet sa më optimale, sigurisht brenda gjithë mundësive, për të filluar vitin e ri shkollor në të gjitha nivelet  që nga çerdhet deri tek gjimnazet. Ndaj, besoj që edhe ky inspektim do t’i shërbejë një apeli për kolegët mësues, për drejtuesit e shkollave, për drejtuesit e institucioneve në mënyrë që këto ditë të jenë ditët e fundit për të përfunduar me gjitha detyrat që shkollat të jenë gati dhe mikpritëse për nxënësit.”-theksoi Nikolla

Ministrja Nikolla foli edhe për procesin e shpërndarjes së teksteve falas, proces i cili nga viti që vjen do të shtrihet edhe në klasat e 5-ta dhe deri në fund të mandatit do të përmbyll ciklin e arsimit 9-vjeçar. Ndërsa theksoi se mirëmbajtja e teksteve është një kulturë e re e cila duhet kultivuar tek fëmijët shqiptarë.

“Sivjet ka qenë një vit perfekt do të thoja në procesin e shpërndarjes së teksteve dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për tekstet falas për 190 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë, por edhe për të gjithë procesin tjetër për klasat e tjera të marrjes teksteve. Është një proces që ka filuuar këtë vit, ne do ta ndjekim hap pas hapi, për ta zgjeruar vitin që vjen edhe me nxënësit e klasës së pestë e kështu me radhë në të gjithë sistemin e arsimit të detyrueshëm të arsimit 9-vjeçar. Ne jo vetëm që mundësojmë një shërbim të ri përmes teksteve falas por nga ana tjetër po përpiqemi të instalojmë edhe një proces të ri që lidhet me edukimin, që lidhet me marrëdhënien që fëmijët kanë për librin, është një proces që ndodh edhe në vendet e Bashkimit Europian, fëmijët tanë nuk kanë asgjë ndryshe nga fëmijët e tjerë të Bashkimit Europian, që punojmë me tekstet ruajnë atë dhe në fund të vitit e dorëzojnë atë. Është një proces që ne po e ndjekim hap pas hapi, sigurisht duke bashkëpunuar me prindërit, duke bashkëpunuar me mësuesit. Ju lutem mos e paragjykoni se është shumë i rëndësishëm dhe shumë i shëndetshëm për edukimin e fëmijëve. Nuk kanë pse ti shkatërrojnë tekstet, nuk kanë pse ti dëmtojnë tekstet,është një kulturë e re që ne do ta kultivojmë edhe në shkollat tona.”-deklaroi Nikolla

Dy ministret së bashku me inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor inspektuan kushtet ku fëmijët do të mësojnë në shkollën 9-vjecare “Dino Ismaili” në Levan dhe shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier.