Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, në bashkëpunim me UNICEF Albania, organizoi një takim me partnerë dhe donatorë në fushën e arsimit, ku janë diskutuar bashkëpunimet e deritanishme, si dhe mundësitë potenciale në vijim.

Znj. Kushi në fjalën e saj është shprehur se të gjithë në këtë takim i bashkon një qëllim i përbashkët, dashuria dhe vëmendja për arsimin dhe kontributi konkret për këtë sektor.

“Drejtimi i MASR është një nga përgjegjësitë më të mëdha që mund t’i jepet dikujt. Unë këtë përgjegjësi e mora duke menduar se çfarë impakti kanë vendimet tona në jetën e njerëzve” – është shprehur ajo.

“Me ndihmën e UNICEF Albania ne kemi organizuar këtë takim me dy qëllime. Së pari, për t’ju falënderuar të gjithëve për kontributin e jashtëzakonshëm që jepni në fushën e arsimit. Së dyti, për të vendosur ura të reja bashkëpunimi, si dhe për të forcuar urat që ekzistojnë sot, me qëllim rritjen e cilësisë në sistemin tonë arsimor,”- tha znj. Kushi.

Ministrja ka përmendur periudhën e vështirë që kaloi Shqipëria nga muaji mars, gjatë së cilës mësimi u zhvillua në distancë dhe partnerët e donatorët ofruan mbështetje, e cila nuk do të harrohet pasi ishin momente të vështira sfide.

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/148619713620138/?d=n