Ministria e Arsimit dhe Sportit

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka informuar rreth procesit të regjistrimit për këtë vit akademik.

Znj. Kushi theksoi se një nga risitë ishte që në fund të raundit të tretë të regjistrimeve, kandidatët që aplikuan në U-Albania të cilët ende nuk ishin regjistruar në një program, kishin të drejtë të regjistroheshin në një nga programet ku kishte kuota të paplotësuara edhe pse nuk e kishin përzgjedhur më parë atë.
Ministrja tha se kjo u bë për t’u ardhur në ndihmë studentëve dhe universiteteve, sepse vitet e kaluara ka rezultuar që mbeteshin kuota bosh por mbeteshin dhe studentë që nuk kishin fituar asnjë nga alternativat, dhe ky ishte një kufizim.

Një tjetër risi që vjen këtë vit është provimi i automatizuar në programin Mjekësi e Përgjithshme, i cili do të ketë 30% peshë në vlerësimin e përgjithshëm. Në këtë mënyrë synohet nxitja edhe më shumë e meritokracisë për pranimin në degët më të kërkuara.
Ministrja Kushi tha se tashmë po hartohet fondi i pyetjeve dhe sipas marrëveshjes që MAS ka bërë me Universitetin e Mjekësisë, deri në 31 dhjetor ky fond pyetjesh do të jetë publik, në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve. Në total do të jenë 3000 pyetje nga lëndët Biologji, Kimi dhe Fizikë. Ministrja shtoi se për përgatitjen e fondit janë përzgjedhur mësuesit më të mirë. Maturantët do të kenë kohën e mjaftueshme për këtë provim shtesë. Ndërkohë, kanë nisur konsultime në katër Drejtoritë Rajonale për të diskutuar me maturantët dhe mësuesit.

Risi për këtë vit ishte dhe marrëveshja me Kosovën, për tu dhënë mundësi studentëve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që të konkurrojnë me të drejta të barabarta në universitetet e të dyja vendeve.

Risia tjetër është edhe lehtësimi i procedurave për regjistrimin e shtetasve të huaj në universitetet Shqiptare. Me ndërkombëtarizimin, Shqipëria ka nxitur edhe ardhjen e studentëve të huaj. Znj. Kushi tha se procedurat këtë vit kanë lehtësira dhe se universiteteve u është dhënë më shumë autonomi që të vijojnë me këtë proces.