Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga nxënësit e shkollës “Zëra Jete” në Elbasan, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar.

Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj ndau disa lajme të mira që kanë të bëjnë me nxënësit me aftësi të kufizuara.

“Sot dua të ndaj me ju disa lajme të mira, disa arritje të Ministrisë së Arsimit për këtë kategori, për shkollat speciale dhe në përgjithësi për nxënësit me Aftësi të Kufizuara. Ne sapo kemi përfunduar draftin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar, ku ndryshimi kryesor është pikërisht kthimi i shkollave speciale në qendra burimore. Të njëmbëdhjetë shkollat speciale në të gjithë Shqipërinë vitin e ardhshëm do të kthehen në qendra burimore, ku dhe shërbimi që do të ofrojnë për nxënësit do të jetë shumë herë më i mirë dhe do të ketë shumë aktivitete të tjera për t’i bërë më funksionale dhe për tu ardhur më shumë në ndihmë jo vetëm nxënësve por edhe prindërve dhe familjeve të tyre”- u shpreh ministrja.

Znj. Kushi shtoi se në shkollat e tjera është rritur numri i mësuesve ndihmës me 250 mësues më shumë, në total 1650 mësues ndihmës në të gjithë vendin. Po kështu janë hartuar programe dhe kurrikula të posaçme për nxënësit me AK.

“Në Tiranë ne kemi dy institute, të nxënësve që nuk dëgjojnë dhe të nxënësve që nuk shikojnë, ku kemi politika të reja. Për herë të parë këtë vit kemi hapur shkollën e mesme për nxënësit me probleme në dëgjim. Është hera e parë që këta nxënës kur mbarojnë klasën e 9-të, nuk do të rrinë më në shtëpi por do të marrin një profesion që është për teknologji apo për TIK që nesër të jenë të pavarur për veten e tyre, por edhe të japin kontribut në shoqëri” – tha ministrja.
Ndërkohë, znj. Kushi ka përmendur edhe nismën më të fundit që nisi para pak ditësh tek Instituti i nxënësve që nuk shikojnë, ku po bëhet biblioteka zanore. Nxënësit e të gjitha shkollave, sipas një kalendari të caktuar do të regjistrojnë me zërin e tyre libra nga letërsia botërore, të cilat do të ruhen në një bibliotekë që do të jetë në dispozicion të nxënësve, jo vetëm aktualë, por edhe nxënësve në brezat që do të vijnë.

 

https://fb.watch/hdNrH9g3iM/?mibextid=cr9u03