Ministria e Arsimit dhe Sportit

“Uniforma Ime” është projekti më i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili synon të rrisë dhe masivizojë futbollin e moshave të reja në të gjithë territorin e vendit.

Nga ky projekt do të përfitojnë uniforma dhe materiale sportive 15 mijë futbollistë, të cilët janë të regjistruar në këtë aktivitet.

E pranishme në lançimin e projektit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh se kjo nismë është shumë e bukur që ka disa funksione.

 

“Së pari i motivon më shumë fëmijët dhe të rinjtë që të merren seriozisht me sport. Ky projekt ndihmon prindërit apo familjet e tyre, duke i çliruar nga barra financiare për të blerë uniformat dhe mjetet e duhura për të bërë stërvitje, për ndeshje. Po ashtu është një nismë që na ndërgjegjëson të gjithëve për vlerat që ka sporti. Sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme, për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, shëndetin fizik, mendor, dhe integrimin më të mirë në shoqëri.  Sporti ndihmon që të rinjtë të largohen edhe nga fenomene negative si dhuna, bulizmi, droga, alkoli. Për këtë arsye edhe në shkolla ne punojmë çdo ditë që nxënësit tanë të angazhohen sa më shumë me sport”- u shpreh ministrja.

 

Më tej ajo theksoi se përveç investimeve në infrastrukturën sportive, është punuar për të rritur numrin e orëve të edukimit fizik, duke i bërë 3 orë në javë. Tashmë mësuesit e Edukimit Fizik janë mësues të profilit, janë profesionistë. Kushi theksoi se është rritur numri i klasave sportive.

 

“Vetëm këtë vit e kemi e kemi dyfishuar numrin e klasave sportive. Do të kemi 400 klasa sportive në të gjithë vendin, duke shtuar edhe numrin disiplinave. Përveç futbollit dhe basketbollit dhe volejbollit, që kanë qenë tashmë prezentë, ne do kemi edhe gjimnastikën, atletikën, tenisin. Gjithçka për fëmijët tanë. Që ata të angazhohen sa më shumë me sport.”- tha znj. Kushi.

 

Ministrja përmendi edhe projektin “Ekipet Sportive”, si dhe projektin “Shkolla Qendër Komunitare” ku nxënësit angazhohen gjithnjë e më shumë me sport.

Ajo ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë kontribut për të rinjtë, si dhe për bashkëpunimin e mirë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe me qeverinë shqiptare.

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/601865691606681