Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, duke folur për buxhetin u shpreh edhe për pagat e pedagogëve, në përgjigje të pyetjes së deputetes demokrate Ina Zhupa.

Për sa i përket krahasimit të pagave të pedagogëve me Kosovën, ministrja tha se krahasimi i pagave me shtetet e tjera nuk mund të bëhet.

“Mos harroni që politikat janë komplekse. Nuk mund të shkëpusësh një element dhe të thuash Kosova këtë e ka më mirë. Ne mund të kemi disa elemente të tjera shumë më të mira se Kosova, për sa i takon investimit në kërkim shkencor apo mbështetje në projekte të ndryshme, të cilat shkojnë gjithsesi në mbështetje të universiteteve dhe pedagogëve. Prandaj ky krahasimi i drejtpërdrejtë më duket se nuk mund të bëhet në dy kontekste të ndryshme”, – u shpreh ministrja.

 

Ministrja shtoi se rritja e bërë me 7% nga buxheti i shtetit edhe sipas saj është i pamjaftueshëm, por duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk është se buxheti e ka mundësinë për më shumë dhe ne po u hiqet pedagogëve kjo e drejtë. Znj. Kushi përmendi kontekstin që vjen ky buxhet, kriza energjetike, inflacioni i luftës në Ukrainë.

“Unë besoj që duhet të jemi me këmbë në tokë. Pedagogët meritojnë shumë më shumë. Po ashtu edhe mësuesit, zjarrfikësit, infermierët e mjekët. Qeveria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që ta shikojë buxhetin në një nivel makro dhe jo specifik sipas nevojave që mund të ketë një kategori e caktuar dhe duhet t’i harmonizojë të gjitha politikat në varësi me burimet që ka dhe kushteve”, – shtoi ministrja.
Kushi për sa i përket krahasimit që bëri deputetja Zhupa mes universiteteve të rretheve dhe të kryeqytetit, ministrja u shpreh se nuk duhet të ekzistojë kjo ndarje sepse ka universitete nga qytetet që janë shumë herë më të forta se sa universitete këtu në Tiranë.
“Universitetet konkurrojnë njësoj si në Tiranë si në qytete të tjera. Ju siguroj që kemi universitete të qyteteve të tjera që kanë programe që kanë shumë të forta, shumë cilësore. Siç janë mbyllur disa degë, janë hapur disa të tjera. Kjo është dinamika e tregut dhe zhvillimit. Mbyllen disa degë sepse nuk ka më kërkesë, hapen disa degë se i do tregu i punës”, – tha ministrja.

 

https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/1473652926489965