Ministria e Arsimit dhe Sportit

Në ceremoninë të nisjes së punimeve për rinovimin me eficiencë energjetike të 19 konvikteve të Qytetit Studenti dhe ndërtimin e 3 godinave të reja me standarde evropiane, morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori Gjerman Peter Zingraf, i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin dhe drejtoresha e Zyrës së KfË-së në Shqipëri, Brit Horschke.

Në fjalën e saj Ministrja Kushi si një ish-studente që ka jetuar në një prej godinave të Qytetit Studenti, theksoi se sot flasim për eficiencën energjetike, ndërkohë që dikur në Qytetin Studenti flitej për nevojat më bazike, mungesën e ujit apo të energjisë elektrike.

Znj. Kushi shtoi se në arsimin e lartë ne po punohet në dy drejtime, nga njëra anë për infrastrukturën e fakulteteve, sallat, bibliotekat, laboratorët, pajisjet, mobilimi i brendshëm i tyre, e ndërkohë nga ana tjetër edhe për konviktet që studentët të akomodohen në kushte sa më të përshtatshme dhe të jenë sa më të motivuar për të mësuar që të bëhen nesër profesionistë të denjë dhe qytetarë të denjë.

Ministrja Kushi falënderoi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për vendimin që mori në fillim të këtij viti akademik, duke përgjysmuar tarifat e studentëve që akomodohen në rezidencat universitare, ashtu sikurse edhe për transportin falas për të gjithë studentët.
“Ishte një vendim në momentin e duhur. Pas luftës në Ukrainë e dimë shumë mirë inflacionin e çmimeve dhe sa nevojë kishin studentët e universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve publike në fakt për një mbështetje të tillë” – theksoi ministrja.

Znj. Kushi shtoi se është bërë ndërhyrje në të gjitha universitetet publike, në rezidencat e Universitetit të Shkodrës, Vlorës, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës dhe së fundmi konviktet e Universitetit të Mjekësisë që janë gjithashtu me kushte, me standarde ndër më të mirat. Ajo tha se kampusi i ri i Universitetit Bujqësor të Tiranës do të jetë një nga kampuset më të mira në rajon.

###