Ministria e Arsimit dhe Sportit

Fituesit e fazës së tretë të Olimpiadave Kombëtare 2021-2022 për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë kanë marrë certifikatat e tyre gjatë një ceremonie festive të organizuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Aty merrnin pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Zëvendësministrja, Nina Guga, Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Rezarta Alla, nxënësit fitues të olimpiadës, mësues, prindër, nxënës të Liceut Artistik dhe shkollës së Baletit.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi u shpreh se vizioni dhe misioni është që të ofrojmë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe të barabartë,

“Ne përpiqemi që të gjithë t’i kenë mundësitë e barabarta por ndodh që disa shkëlqejnë më shumë, falë punës, sakrificës, përkushtimit dhe talentit të tyre, por edhe falë punës dhe përkushtimit të mësuesve dhe të prindërve të tyre.

Ministrja tha se MAS e ka përgjegjësi që të punojë fort për të gjithë, edhe për ata që kanë aftësi ndryshe por edhe ata që kanë talente të spikatura. Olimpiadat kombëtare janë pikërisht për këtë arsye, që të nxisin punën, disiplinën, përkushtimin.

“Ne, nxënës si ju, e më pas studentë si ju, duam t’ju kemi këtu në Shqipëri. Shumë prej jush kanë ambicie të shkojnë të studiojnë në universitetet më të mira kudo në botë, por ne po punojmë fort që ju të keni zgjedhje të mira edhe këtu. Po punojmë fort për ndërkombëtarizimin e universiteteve, që universitetet tona të kenë programe të përbashkëta me këto universitete prestigjioze ku ju doni të shkoni të studioni.”- nënvizoi Kushi.

Duke folur për ndërkombëtarizimi, ajo tha se diplomat e përbashkëta me universitete prestigjioze do të mbajnë emrat dhe firmat e rektorëve të dy universiteteve, që nënkupton se ajo diplomë njihet dhe ka vlerë njësoj, si në Shqipëri ashtu dhe në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Këto programe të përbashkëta kanë për qëllim rritjen e cilësisë, nxitjen e rinisë që të qëndrojë këtu dhe të japë kontribut për Shqipërinë, por është mbështetje edhe për prindërit pasi atyre do tu kushtonte shumë që t’i dërgonin fëmijët me studime jashtë shtetit.

Nga mbi 3 mijë nxënës pjesëmarrës në të gjitha olimpiadat, 15 nxënës ishin fitues të vendit të parë, 38 të vendit të dytë dhe 58 të vendit të tretë. Ndërkohë që 54 nga fituesit ishin vajza dhe 57 djem. Për fituesit e vendeve të para krahas certifikatave u dhuruan edhe tableta.

Aktiviteti u shoqërua nga disa performanca kërcimi, baleti dhe pjesë muzikore nga nxënës të shkollës së baletit dhe liceut artistik.

Olimpiadat kombëtare u organizuan për lëndët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Informatikës, Historisë dhe Gjeografisë.

 

https://fb.watch/dXPeNjiaLn/