Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Ndihmës Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Drejtoreshën Rajonale të UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura Mirjana Špoljarić Egger, përfaqësuesen e UNDP në Shqipëri Monica Merino dhe Shefin e Bashkëpunimit për Zhvillim nga Delegacioni i BE-së Hubert Perr, morën pjesë në përurimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Gjergj Kastrioti” në Bilaj të Krujës.

Ky objekt arsimor është rindërtuar plotësisht nga Programi EU4Schools pas tërmetit të 2019-ës dhe financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj u shpreh se nga kjo shkollë do të përfitojë një komunitet prej 2,120 banorësh, 110 nxënës, 37 fëmijë kopshti dhe 13 mësues. Ajo shtoi se shkollat e reja janë ndërtuar me parimin “ta rindërtojmë më mirë” (Built Back Better) që nënkupton shkolla më të mëdha, më të forta, më të sigurta, me eficiencë energjetike, në përshtatje për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe me standardet më bashkëkohore.
Duke falënderuar partnerët në rindërtimin e shkollave, UNDP dhe EU4Schools (BE për Shkollat),  Kushi theksoi se përgjegjësia tashmë mbetet jo vetëm tek mirëmbajtja e kësaj shkolle dhe e të gjitha shkollave të rindërtuara, por edhe tek rritja dhe mbajtja e cilësisë më të mirë në mësimdhënie.
Ndër të tjera ajo tha se kjo shkollë, si shumë shkolla të tjera, shërben tashmë edhe si qendër komunitare, duke u shërbyer jo vetëm nxënësve dhe fëmijëve të kësaj shkolle, por të gjithë banorëve të zonës. Vetëm nga programi i rindërtimit që përfshin afro 180 objekte arsimore, mbi 80 objekte arsimore janë përfunduar.

Programi “EU4Schools” nisi të zbatohet në Prill 2020 dhe deri më tani 23 objekte janë përfunduar, 16 janë në ndërtim e sipër. Shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” përmban dhomë për psikologun, dhomë për infermierin, sallë multifunksionale, një bibliotekë, një palestër, një fushë futbolli me tapet, kënd lojërash, tre laboratorë, një Informatike, një Fizike dhe një Kimie.