Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, uron mësuesit në ditën ndërkombëtare të tyre

 

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë në gjimnazin “Sinan Tafaj” në Tiranë, duke ju bashkuar aktiviteteve të organizuara nga mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle.

Me rikthimin në shkollën të cilën e ka administruari si drejtuesja e parë, që nga themelimi i saj, znj. Nikolla uroi mësuesit në këtë ditë të shënuar, duke shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë mësuesit e vendit, duke i cilësuar ata si heronjtë e vërtetë të shoqërisë, kontributor të paçmueshëm dhe të palodhur të çimentimit të dijes dhe zhvillimit të gjeneratave të tëra, duke u garantuar atyre mbështetje maksimale nga qeveria shqiptare si dhe më shumë mundësi për kualifikimin e tyre:

“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, ata janë heronjtë tanë. Për mua si Ministër e Arsimit, Sportit dhe Rinisë por edhe për shoqërinë mësuesit janë një motiv i fortë për t’i mbështetur në realizimin e misionit të tyre si përçues të dijës mes brezave. Nga kjo ditë e shënuar më duhet t’i kërkoj ndjesë çdo mësuesi që ka ndjerë vetminë në realizimin e këtij misioni. U them mësuesve në të gjithë vendin se do të jem krah tyre çdo ditë për të mos harruar atë që unë vetë kam nxjerrë mësim si mësuese matematike. Profesioni i mësuesit është një mision Nobel. Në 100 ditët e para të qeverisjes ne do të zhvillojmë një proces kualifikimi për mësuesit, një sistem kualifikimi që synon aftësimin e tyre të mëtejshme.

 

Jemi në një gjimnaz në të cilin kam pasur fatin të jem drejtoresha e parë e tij nga ku edhe ka nisur projekti “Shkolla Qendër Komunitare”. Ajo çfarë u premtoj mësuesve në të gjithë vendin është se do të jemi bashkë për të performuar më mirë, për ta kthyer shkollën në qendër graviteti të formimit të qëndrimeve

Gjithashtu në fjalën e saj ministrja Nikolla vuri theksin tek angazhimi që qeveria ka marrë për rritjen e pagave të mësuesve deri në 40%:

“Mësuesit duhen mbështetur me paga ndaj jemi angazhuar për rritjen me 40% të tyre. Nuk mjafton vetëm mbyllja e 22 universiteteve kioska por duhet që fakultetet e edukimit t’i largohen kurrikulave të vjetra e të unifikohen me kurrikula të standardeve evropiane. Këto masa janë baza për një arsim cilësor. Mund të ketë shkolla të rikonstruktuara por nëse nuk investohet tek shtylla e cilësisë, pra mësuesi atëherë cilësie bie.”

Dita Ndërkombëtare e Mësuesve, festohet çdo vit më 5 tetor që prej vitit 1994.