Ministria e Arsimit dhe Sportit

"Mësues për Shqipërinë", fillon aplikimi online

Pas mbylljes të fazës së parë të konkurrimit “Mësues për Shqipërinë 2015” me vlerësimin e dosjeve të kandidatëve nga Drejtoritë/Zyrat Arsimore Rajonale, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron kandidatët që janë kualifikuar në këtë fazë si më poshtë vijon, se:

Faza e dytë e konkurrimit vazhdon me testimin e kandidatëve për “Mësues për Shqipërinë 2015”, i cili  do të zhvillohet, më datë 19.12.2015, ora 10-12.30, në ambiente të planifikuara nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. 

Aplikimi në portalin mesues.arsimi.gov.al fillon më datë 4 dhjetor dhe vazhdon deri më datë 12 dhjetor, duke respektuar plotësisht udhëzuesin e aplikimit.

Renditja përfundimtare për çdo profil/lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”.

Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.

Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të Komisionit të ngritur pranë Drejtorive/Zyrave Arsimore Rajonale.

Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit.

Të gjithë kandidatët që kanë marrë pjesë në testimin “Mësues për Shqipërinë” të vitit 2014 dhe nuk kanë mundur të jenë pjesë e sistemit arsimor, si dhe kanë vendosur të mbajnë pikët e fituara nga testimi i mëparshëm, aplikojnë nëpërmjet një shtojce të veçantë duke respektuar kërkesat e Udhëzimit Nr.38. Këta kandidatë pas vlerësimit përfshihen në renditjen përfundimtare për profil/lëndë nw DAR-in përkatës.

Çdo informacion i mëtejshëm rreth këtij testimi mund të gjendet në faqet zyrtare të çdo Drejtorie/Zyre Arsimore Rajonale si dhe në portalin mësues.arsimi.gov.al

Procesi i testimit të aplikantëve në sistemin arsimor parauniversitar do të drejtohet nga MAS dhe do të organizohet e administrohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe DAR/ZA-të, si dhe do të monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.