Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universiteti i Mjekësisë së Tiranës nënshkruan sot marrëveshjen e Bashkëpunimit “Për testimin e informatizuar për maturantët, në kuadër të pranimit në programin ‘Mjekësi e Përgjithshme’ në  Universitetin e Mjekësisë, Tiranë” për vitin akademik 2023-2024.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës Prof. Dr. Arben Gjata.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me organizimin dhe realizimin e testimit të informatizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, si institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe me përgatitjen e fondit të pyetjeve dhe informimin e maturantëve që synojnë të aplikojnë në programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”.

Në fjalën e saj Ministrja Evis Kushi u shpreh se menjëherë pas maturës së vitit të kaluar u mblodh një grup pune me përfaqësues nga të gjitha palët e interesuara, ekspertë të arsimit për të evidentuar problematikat dhe mundësitë për ta përmirësuar këtë proces, për të garantuar sa më shumë meritokraci dhe transparencë në procesin e pranimeve në universitet.

“Universiteti i Mjekësisë në fillim të muajit tetor me vendim të senatit akademik  ka pranuar që ta përfshijë këtë testim të automatizuar për procesin e pranimit të studentëve dhe ka vendosur që 70% të bazohet në formulën ekzistuese, pra në rezultatet e 3 viteve të gjimnazit dhe provimeve të Maturës, dhe 30% të bazohet në provimin e automatizuar që do të zhvillohet dhe do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore”, – theksoi ministrja.

 

https://fb.watch/gmqIsce1SJ/