Ministria e Arsimit dhe Sportit

144-vjetori i Lidhjes së Prizrenit mblodhi personalitete nga trevat shqiptare të Ballkanit në Shtëpinë e Kulturës së Prizrenit. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, nënkryetarja e parlamentit të Kosovës Saranda Bogujevci, ministra të qeverisë së Kosovës, deputetë, kryetarë të komunave, historianë e  klerikë fetarë, zyrtarë të lartë të ardhur nga trevat shqipfolëse.

 

Gjatë fjalës së saj Ministrja Evis Kushi u shpreh se ky përvjetor i Lidhjes së Prizrenit filloi shumë bukur, pasi në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës për herë të parë, ora e parë e mësimit iu kushtua Lidhjes Shqiptare te Prizrenit.

“Unë jam vërtetë krenare që së bashku me ministren e Kosovës Arberie Nagavcin morëm këtë vendim që sado të duket modest, përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm tek brezi i  ri, jo thjesht për të njohur historinë, të kaluarën, ngjarjet e rëndësishme të popullit shqiptar, por për të përcjellë tek ata vlerat më të mira që ka populli shqiptar, atdhedashurinë dhe shqiptarinë,” – u shpreh ministrja.

 

Znj. Kushi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit për interesat e larta të atdheut krahas pushkës përdori edhe penën, duke vërtetuar rolin e pazëvendësueshëm që ka në çdo betejë arsimi dhe edukimi me vetëdije kombëtare, nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare e publicistikës patriotike. Prandaj, kjo ngjarje e madhe historike e kombit shqiptar është e përfshirë gjerësisht në kurrikulat e historisë në të gjithë arsimin parauniversitar.

 

Duke folur për sfidat e kombit shqiptar Ministrja Kushi tha se  ndryshe nga 144 vite më parë, sot shqiptarët kanë edhe sfida të tjera, të luftojnë për zhvillim, mirëqenie, një ekonomi të begatë, një shoqëri të emancipuar e demokratike;

“Sot luftojmë për integrim në BE, por një gjë mbetet njësoj, dëshira që të jemi krah për krah, të bashkuar me njëri-tjetrin. E prandaj unë jam krenare për Abetaren e Përbashkët Unike që në shtator të këtij viti do të jetë në duart e të gjithë vogëlushëve në Shqipëri e Kosovë, në të gjitha shkollat shqiptare”- u shpreh znj. Kushi.

 

Më tej ministrja shprehu mirënjohje për të gjitha figurat, burrat dhe gratë  që edhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë këtyre 144 viteve vazhduan misionin e atdhetarëve, të rilindësve, e bënë gjithçka ishte e mundur që kombi shqiptar sot të jetë i lirë dhe sovran.

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/323857999938513/