Ministria e Arsimit dhe Sportit

Laboratorët e teknologjisë, Manastirliu me Presidentin e Kroacisë në shkollën 9-vjeçare në Kamëz: Investimi në arsim, mision fisnik për gjeneratat e ardhshme

 

19 Tetor, Kamëz-  Presidenti i Republikës së Kroacisë z. Zoran Milanoviç, i shoqëruar nga zonja e parë, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu, kryetarin e Bashkisë Kamëz z. Rakip Suli dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP në Shqipëri, znj. Monica Merino, kanë vizituar nga afër laboratorin e ri të teknologjisë së informacionit, financuar nga qeveria kroate, në shkollën e re 9-vjeçare “Ahmet Zogu” në Kamëz.

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç dhe Ministrja Manastirliu, kanë nënvizuar rëndësinë e investimeve në arsim, që u shërbejnë gjeneratave të ardhshme.

“Jam vërtetë i lumtur dhe i emocionuar kur shoh që paratë e popullit kroat janë përdorur për një mision fisnik, që t’i bëjmë të rinjtë më të mirë, më të ditur dhe më të gatshëm për sfidat e sotme”, – tha Presidenti i Kroacisë z. Zoran Milanoviç.

Ministrja e Arsimit, znj. Ogerta Manastirliu, i ka shprehur mirënjohjen Presidentit të Kroacisë, për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e dhënë për investimet në arsim, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Dua që të falenderoj përzemërsisht popullin kroat, Presidentin, për gjithë mbështetjen që na kanë dhënë, qoftë në rikonstruksionin e shkollave apo qoftë edhe në 8 laboratorët që kanë investuar në 6 bashkitë tona. Një investim në arsim, është një investim që zgjat gjithmonë në breza”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me bashkitë dhe partnerët ndërkombëtarë, po investojnë në 60 shkolla në të gjithë vendin, 30 prej të cilave janë drejt përfundimit, dhe duke filluar nga viti tjetër, hapen kantieret në 30 shkolla të tjera.