Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

FJALA E MINISTRES EVIS KUSHI

 

Sot më shumë se asnjëherë, në botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara flitet për Nanoshkencën dhe Nanoteknologjinë, si dijet më të avancuara të shekullit. Pikërisht sot sepse sot sfidat janë më të mëdha dhe më të vështira. Sëmundjet, ndryshimet klimatike, luftëra, kriza e energjetike. Nanoteknologjia është një shkencë që ofron zgjidhje dhe mund të përmirësojë ndjeshëm jetët tona.

Nanoteknologjia ka një potencial të madh në shumë sektorë. Që nga kujdesi shëndetësor, nëpërmjet diagnostikimit dhe shërimit të sëmundjeve, tek mjedisi, nëpërmjet monitorimit të ndotësve të mjedisit, ndryshimet klimatike gjithashtu, përgatitja e pajisjeve të reja për energjinë, ndërtimi, sporti, tekstilet, e shumë aspekte të jetës sonë të përditshme.

Por zhvillimet aktuale në Nanoteknologji, po rriten me ritme aq të shpejta sa që kjo përbën një sfidë për qeveritë, që të qëndrojnë të azhornuara me progresin. Ajo çfarë i shqetëson shkencëtarët në shumë vende është që ndërgjegjësimi publik dhe politik për Nanoteknologjinë duhet të rritet edhe më shumë.

 

Prandaj e përshëndes këtë konferencë që zhvillohet për të dytin vit radhazi këtu në Shqipëri. Sepse sjell një kontribut me vlerë. Padyshim nga njëra anë e rrit më shumë vëmendjen tonë për të investuar dhe mbështetur sa më shumë iniciativat në këtë fushë. Nga ana tjetër mundëson dhe forcon kontaktet dhe komunikimin midis kërkuesve shkencorë shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë në këtë fushë.

 

Ndërkohë e vlerësoj shumë iniciativën e akademisë së shkencave për të krijuar qendrën virtuale NanoAlb, e cila përbën një platformë të jashtëzakonshme për shkëmbimin e ideve dhe risive shkencore në këtë fushë, si dhe një oportunitet me gamë të gjerë kërkimesh në fushën e Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë.

Duke integruar shumë shkenca të cilat i ndihmon, i përmirëson ndjeshëm, madje i revolucionarizon. E parë në këtë këndvështrim Nanoteknologjia na paraqitet si një shkencë gjithëpërfshirëse, duke shtuar edhe më shumë vëmendjen dhe interesin për fuqizimin e NanoAlb, për ta zgjedhura atë më tej me studiues dhe shkencëtarë të rinj, teknologë dhe përfaqësues të industrisë.

 

Të nderuar pjesëmarrës, më lejoni të prezantoj para jush disa zhvillime të fundit në fushën e shkencës këtu në Shqipëri.

Dua ta nis me programin e BE-së Horizont Evropa. Shqipëria dhe këtë vit ka siguruar pjesëmarrjen në Horizont Evropa, i cili është programi më i rëndësishëm i mbështetjes së kërkimit shkencor dhe inovacionit në Evropë.

Dëshiroj të theksoj se niveli i suksesit të projekteve shqiptare të kërkimit është rritur rreth 4 herë më shumë krahasuar me vetëm dy vite më parë, kur Shqipëria merrte pjesë në programin Horizont 2020. Universitetet Shqiptare kanë arritur të marrin nëpërmjet projekteve rreth 2.8 milionë euro nga programi Horizont Evropa.

Që nga muaji maj 2022 për herë të parë ne kemi institucione shqiptare të cilat janë udhëheqëse në programet dhe projektet e përfshira në këtë projekt të madh të BE-së.

Gjithashtu, Shqipëria për herë të parë është edhe pjesë e rrjetit Eureka, ku ka programe mbështetëse për të fuqizuar biznesin, nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit. Duke nxitur bashkëpunimin e biznesit me universitetet.

Ndërkohë për sa i takon buxhetit të shtetit shqiptar për kërkimin shkencor, qeveria veçanërisht që nga viti 2018 e ka rritur buxhetin për kërkimin shkencor me rreth 2.5 herë.

Gjithashtu që nga viti 2018 ne kemi një program të ri të financimit të infrastrukturës së kërkimit shkencor, ku financojmë rreth 1.5 milionë euro në vit në laboratorë dhe mjete për kërkimet.

Që nga viti 2018 kemi një program të ri të infrastrukturës së kërkimit shkencor ku financojmë rreth 1.5 milionë euro në vit në laboratorë dhe mjete për kërkimet.

Këtë vit nëpërmjet programit kombëtar të mbështetjes së projekteve të kërkim – zhvillimit kemi mbështetur dhe 4 projekte të paraqitura nga Akademia e Shkencave 2 nga të cilat janë projekte të fushës së bio teknologjisë ku operohet me instrumente të nano shkencës.

Por me të gjithë progresin, praktikat e mira, shembujt pozitivë ka ende punë për të bërë bashkërisht me ju komunitetin e kërkuesve shkencorë që të reformojmë edhe më shumë sistemin e kërkimit për të nxitur dhe motivuar kërkuesit të përfitojnë sa më shumë nga mundësitë që japin programet kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit. E përveç buxheteve ne kemi nisur një punë intensive për kuadrin ligjor për të përmirësuar kuadrin ligjor.

 

Sapo kemi miratuar ligjin për parqet teknologjike dhe presim universitetet, industrinë, individët, komunitetin e kërkuesve shkencorë, të bashkohen për të zhvilluar projekte të kërkimit shkencor dhe inovacionit në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

 

Ndërkohë po punojmë paralelisht me dy nisma të reja:

 

  1. Strategjia Kombëtare për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionit 2023 -2030

Ku në fushën akademike objektivi ynë është të nxisim bashkëpunimin me sektorin publik dhe me atë të biznesit për një transformim të të gjitha institucioneve tona të arsimit të lartë në mjedise të hapura ku laboratorët dhe kompetencat e kërkuesve për gjetjen e zgjidhjeve shkencore të sfidave të biznesit dhe të institucioneve

  1. Ligji për Shkencën në Republikën e Shqipërisë ku MAS po punon bashkë me Akademinë e Shkencave, por dhe një grup nga institucione të ndryshme shkencore për hartimin e një ligji bashkëkohor dhe motivues për kërkimin shkencor në Shqipëri

 

Së fundmi Strategjia Specializimit Inteligjent është një tjetër dokument i rëndësishëm i cili ka për qëllim të evidentojë burimet dhe mundësitë në mënyrë që t’i përdorim ato në mënyrë inteligjente për të përballuar sfidat dhe për të zhvilluar vendin nga pikëpamja ekonomike dhe sociale.

Ne në MAS do të angazhohemi fort që të gjithë mekanizmat institucionalë e financiarë që kemi ngritur për mbështetjen e kërkimit shkencor të jenë në dispozicionin tuaj dhe mbështetje për ju.

 

https://fb.watch/fWltYrEqS1/