Ministria e Arsimit dhe Sportit

Në vijim të zbatimit të nismës “3 lëndë në 6 orë” dhe organizimit të mësimit me dy orë të njëpasnjëshme, IZHA në bashkëpunim me Junior Achievement organizuan sot konferencën njëditore me temë “Promovimi i organizimit të mësimit me dy orë të njëpasnjëshme, (Nisma “3 lëndë në 6 orë”)”, me qëllim evidentimin dhe shpërndarjen e përvojave të mësuesve në shkollë, lidhur me zhvillimin e mësimit me dy orë të njëpasnjëshme.

Në konferencë ishte e pranishme edhe ministrja Nikolla e cila theksoi se nisma “tri lëndë në gjashtë orë” ka krijuar një standard të ri për t’i dhënë shkollës më shumë fleksibilitet por edhe një këndvështrim të ri në mënyrën se si mësuesit programojnë orarin e tyre mësimor duke bërë që as mësuesit dhe as nxënësit të mos ankohen më për mungesë të kohës për të realizuar atë që është qëllimi, vizioni dhe qasja e re për të siguruar një pjesëmarrje sa më aktive të nxënësve për të zhvilluar njohuritë e tyre.

“Kam vendosur që drejtuesit e 42 rrjeteve profesionale që janë aktualisht por edhe të tjera që ne do të ngremë siç është ai i rrjetit të mësuesit që punojnë në klasat kolektive, do të përbëjnë Këshillin Konsultativ të ministres së Arsimit, jo vetëm për të marrë refleksionet e nevojshme në kohë reale, por mbi të gjitha për t’ju dëgjuar dhe për të qenë një udhërrëfyes i suksesshëm i bazuar vetëm në punë e përkushtim për gjithçka tjetër që ne na duhet për të përmbushur reformën në arsim.” – deklaroi Nikolla

Në pjesën e dytë të konferencës u vijua me punën në panele me drejtuesit e rrjeteve profesionale sipas lëndëve, ku secili prej paneleve raportuan për çështje mbi organizimin e dy orëve të njëpasnjëshme lidhur me planifikimin e mësimdhënies së lëndës nga mësuesi, përdorimin e strategjive, metodave dhe teknikave të mësimdhënies, vlerësimin e nxënësve dhe marrëdhëniet mësues – nxënës e nxënës – nxënës.