Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mbajti sot fjalën e saj në Konferencën e 17-të të Këshillit të Evropës për Sportin, ku marrin pjesë të gjithë ministrat e vendeve pjesëtare të EPAS.

Gjatë fjalës së saj znj. Kushi theksoi se Shqipëria mbështet të drejtat e njeriut dhe politikat evropiane, duke nxitur gjithëpërfshirjen dhe barazinë në sport, në aspektin e origjinës, kombësisë, gjuhës, fesë, gjinisë dhe moshës, si dhe parandalimin e korrupsionit, diskriminimin dhe dhunën në sport.

Bazuar në rekomandimet e EPAS dhe Kartën Evropiane të Sportit, ministrja ka prezantuar projektet dhe hapat konkretë të ndërmarra nga Shqipëria në lidhje me përmirësimin e legjislacionit shqiptar, rritjen e buxhetit dhe forcimin e politikave qeveritare në sport.

Në përfundim të fjalës Ministrja Evis Kushi theksoi se pak muaj më parë Shqipëria hapi negociatat e anëtarësimit me BE, që është një moment i rëndësishëm për të rritur pjesëmarrjen në takimet dhe aktivitetet e organizuara nga EPAS, si dhe për të forcuar bashkëpunimin në lidhje me politikat në fushën e sportit dhe koordinimin me politikat e përcaktuara në nivel evropian.

Konferenca e Këshillit të Evropës është një ndër aktivitetet më të rëndësishme për sa i përket rritjes së bashkëpunimit të mirë ekzistues në nivele më të larta.

 

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02LaTdnAb2pBMeUbwRDir9FPG3AZJ9nhx1dsdjngTh2QoALEKbMYLei8S2ckTokeul&id=100057450729783