Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, në prani të Kryeministrit Edi Rama, projektin për digjitalizimin e shkollave shqiptare nëpërmjet integrimit të teknologjisë në arsimin e mesëm.

Janë përzgjedhur 60 shkolla të mesme të përgjithshme për të qenë pjesë e fillimit të procesit të digjitalizimit me tableta.  Ndërkohë që deri në fund të vitit 2018-të pritet që të përfshihen të gjitha shkollat e mesme.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se klasa inteligjente në shkollën digjitale është jetësimi i zotimit në programin e qeverisë, që do të mundësojë 60 shkolla dhe 120 klasa pa mure, të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht prindërit të informohen në kohë reale.

“Në projektin tonë mësuesi mbetet aktori kryesore në procesin e edukimit. Teknologjia nuk do të zëvendësojë mësuesin, por do ta bëje atë edhe më të aftë në procesin e mësimdhënies, nëpërmjet ilustrimeve online, nëpërmjet testeve online, nëpërmjet një prezantimi edhe me dinjitoz të mësimit, dhe në përputhje me ato standarde që mësimdhënia ofrohet në të gjithë botën e qytetëruar”, tha Nikolla.

Ministrja nënvizoi rëndësinë që ka kualifikimi i vazhdueshëm i stafit pedagogjik mbi përdorimin e pajisjeve digjitale, ndaj deri tani janë trajnuar 4000 mësues, ndërkohë që në total do të jenë 8000 mësues që do të trajnohen.

“Gjatë kësaj periudhe janë arritur një sërë marrëveshjesh me partnerë ndërkombëtarë që ofrojnë asistencën e tyre për këtë projekt, nëpërmjet bursave apo për kualifikimin e stafit pedagogjik si Intel, Google, Microsoft, Samsung, etj”, tha Lindita Nikolla.

Ky projekt do të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në sistemin e administrimit të sistemit arsimor para-universitar publik, si përmirësimi i sistemit elektronik të lëshimit të Amzës, dosjet e personelit, administrimi i shkollës, etj.

“Krijohet një raport i ri mësues-nxënës, të cilët ndërveprojnë me njëri-tjetrin me mjetet që kanë në duart e tyre nëpërmjet teknologjisë. Kjo është shkolla që ne duam të ndërtojmë për fëmijët tanë, të cilët jetojnë në një botë që ecën me hapin e pandalshëm të zhvillimeve teknologjike”, u shpreh Ministrja.

Kryeministri i vendit, Edi Rama tha se është për të ardhur keq që investime në teknologji janë bërë, por kanë rezultuar me një impakt zero, madje me një impakt negativ për shkak të gropave që kanë lënë në financat e Ministrisë së Arsimit dhe në financat e shtetit, për shkak se nuk janë shoqëruar me trajnime dhe me aftësimin e domosdoshëm të atyre që do t’i përdorin këto mjete në funksion të dijes.

“Unë besoj që, ky është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mira, por ajo që unë shoh si të mirën e madhe dhe kryesoren është se do të krijojë një lidhje të re dhe shumë transparente mes asaj që ndodh në marrëdhëniet mes një nxënësi dhe një mësuesi, në marrëdhëniet mes një klase dhe mësuesve dhe në marrëdhëniet mes një shkolle dhe shkollave të tjera e me radhë, në marrëdhëniet me institucionit dhe me prindërit, padyshim aftësimin e domosdoshëm të atyre që do t’i përdorin këto mjete në funksion të dijes”, tha Rama.

60 shkollat e përzgjedhura për të filluar projektin janë shtrirë në gjithë vendin. 43 janë në zona të mëdha urbane dhe 17 shkolla janë në komuna dhe zona relativisht të vogla. Çdo shkollë pilot do të furnizohet me 2 laboratorë digjitale të cilët përfshijnë: projektor interaktiv, 40 tableta për nxënësit, 15 tableta për sallën e mësuesve dhe 3 laptop për mësuesit. Nga ky projekt përfitojnë rreth 47.000 nxënës.

Komponentët e digjitalizimit u pilotuan, prej muajit dhjetor 2013-të, në shkollën “Sami Frashëri”, “Andon Zako Çajupi”  në Tiranë dhe “Sevasti Qiriazi” në Korçë.

{:}