Ministria e Arsimit dhe Sportit

Nuk është një fjalë përshëndetëse më shumë sesa një moment shumë i rëndësishëm që gjithë bashkë të reflektojmë për nevojën e madhe që kemi për të riparë se cili prej institucioneve tona por edhe personalisht në gjithçka që ju përfaqësoni të nderuar profesorë e profesorë, në kuptimin e përgjegjësisë qytetare që të adresojmë një moment shumë të rëndësishëm, që lidhet me cilësinë në sistemin tonë arsimor. Besoj që është e tepërt të ngre argumente dhe t’ju them se përtej buxhetit në arsim, përtej investimeve infrastrukturore, përtej ngritjes së gjithë laboratorëve dhe mjeteve të tjera didaktike, teksteve përmirësimit, teksteve kurrikulës po ashtu, mbetet kryefjala e kryefjalëve faktori mësues, nëse ne duam të sjellim cilësinë në shkollat tona. Është e provuar tashmë që edhe në ato shkolla ku nuk kanë munguar buxhetet dhe transformimet për sa i përket kushteve fizike, jo domosdoshmërisht këto janë përkthyer në një cilësi të re të arritjeve të nxënësve. Ne kemi bërë një hap jo të vogël përpara, në kuptimin e dhënies fund të universiteteve piramidë që kishin edhe programe, mastera apo bachelor formimi mësuesve, pa kurrfarë standardi, por gjithsesi jemi ende me shumë rrugë përpara për të arritur dhe për të mundësuar që në sistemin tonë arsimor, ne të fusim mësues cilësisht të formuar. Lejomëni po ashtu t’ju bëj me dije që qeveria e ka shpallur prioritet mësuesit, prioritet kombëtar të gjithë ato programe që formojnë mësuesi, duke iu thënë që ne do të ndërmarrim një reformë tërësore por gjithë mësuesit që përgatiten në Universitetet, në fakultetet e edukimit, po ashtu edhe për pjesën tjetër që është në sistem në kuptimin e një formimi, kualifikimi, trajnimi cilësor konform gjithë standardeve që ne presim te sjellim në sistemin e arsimit parauniversitar. Besoj që ju jeni duke punuar dhe do të kemi kohë edhe të komunikojmë për të parë sesa dhe ku jemi me përafrimin e kurrikulave, është një detyrim që vjen nga ligji por përtej detyrimit unë besoj që është një moment shumë i rëndësishëm, për të ri theksuar atë në fakt që ne e kemi diskutuar bashkërisht edhe në një takim të parë me gjithë ju, që është momenti që krahas përafrimit të kurrikulës ne të bëjmë dy gjëra bashkë edhe modernizimin e tyre, jo vetëm duke ngushtuar hendekun midis kurrikulave të formimit të mësuesve dhe asaj çfarë është sistemi ynë parauniversitar që sot është futur në një qasje krejt të re që ka në thelb formimin e kompetencave tek nxënësit, por nga ana tjetër besoj që ju jeni duke punuar edhe për të pasur pra krahas modernizimit dhe përafrimit të kurrikulave, jeni duke punuar dhe duke parë me seriozitet edhe momentin e parë që lidhet me gjithë studimin e situatës studentëve të regjistruar në fakultetet e mësuesisë dhe çfarë mendoni që ne duhet të përmirësojmë. Duke parë një analizë fare të thjeshtë në fakt, sepse ju e dini shumë më qartë dhe shumë më mirë sesa mund të ngre unë te gjithë argumentet, fakti që kalueshmëria në provimin e shtetit është në ato nivele, tregon që kemi ende shumë për të ndryshuar. Fakti që kur ne bëjmë rankimin përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, nuk kemi ato fashat që do të donim të kishim për një mësues që është gati, që ka shpenzuar 5 vite në bankat e universitetit, 1 vit praktikë profesionale më pas provimin e shtetit dhe sërish edhe aty ne kemi mësues që rankohen për shkak të pikëve të marra dhe vlerësimeve të marra edhe në testimin e rankimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”. Nuk po i shtoj listës së argumenteve dhe faktin sesi performojnë në shkolla mësuesit tanë. Unë do doja shumë seriozisht dhe me përgjegjësi të plotë për secilin prej jush një moment shumë të rëndësishëm reflektimi. Jemi në një kohë kur mësuesit e mirë formuar, përkushtuar edhe që përkthenin pas në modele reference për nxënësit e tyre, gjithnjë e më shumë po zvogëlohet kjo bashkësi ndaj ne na duhet të jemi të qartë, profesional patjetër, serioz por edhe të përgjegjshëm në gjithçka që ne duhet të ndërmarrim në hapat më pas. Patjetër, këtu njëherë së pari duhet drejtuar gishti nga vetja, në kuptimin kur them nga vetja e çfarë do të bëjë qeveria për mësuesit. Dhe po ju them, po ju raportoj që kemi ndërtuar një skemë serioze, transparente me ekspertizën më të mirë profesionale besoj, të kualifikimit të mësuesve që janë në sistem duke e rikthyer peshën tek universitetet. Janë 14 institucione të arsimit të lartë sot që janë të akredituara për të bërë trajnimin e mësuesve. Por ky moment duhet parë si një moment shumë i rëndësishëm edhe për vetë universitetet njëherë për të kuptuar nevojat e mësuesve dhe sigurisht për të ndryshuar edhe vetë në atë që shihet që është e nevojshme duhet ndryshuar nga pikëpamja kurrikulare, programet e studimit që këto universitete ofrojnë, nga ana tjetër sigurisht për ta bërë vetë kualifikimin dhe trajnimin nje proces serioz. Jemi gjithashtu duke punuar që edhe procesi i rekrutimit të mësuesve të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga kthetrat e politikës nepotizmin, korrupsionit e me radhë. Dhe po ju deklaroj me përgjegjësi të plotë që portali “Mësues për Shqipërinë” tashmë kthehet në një institucion duke bërë ndryshimet në ligj, por nga ana tjetër falë teknologjisë po kthehet në një instrument shumë të rëndësishëm, në kuptimin nga A-ja te Zh-ja të mos kontaktit me faktorë të tjerë të jashtëm ku mësuesi përflitet për të shkuar në një X apo Y shkollë, që do të thotë që nga testimi është dixhital, vlerësimi është dixhital, transparenca çdo mësues punë kërkues ka domenin e vetë ku merr gjithë informacionin, është i informuar në kohë reale për vendet e lira që krijohen dhe vetëm përmes kompjuterit ai pranon, zgjedh të punësohet në X apo Y shkollë dhe përmes kompjuterit i shkon në adresën e tij të e-mail-it edhe fleta e pranimit dhe e punësimit në këtë apo atë shkollë. Besoj që kjo ka qenë një sfidë e madhe që e kemi përmbushur dhe gjithnjë e më shumë drejtë shkollave tona sot ne kemi 4300 mësues të punësuar përmes këtij sistemi dhe atë që drejtuesit e shkollave thonë por jo vetëm ata edhe nxënësit e prindërit dhe vetë rezultatet e shkollave e konfirmojnë, faktin që po shkojnë gjithnjë mësues më cilësor, pikërisht sepse rregulli kryesor me të cilin ato rankohen është cilësia. Po ashtu jemi të angazhuar që profesionin e mësuesve, mësuesit ta bëjmë një profesion të kërkuar, e dimë që kjo s’bëhet thjeshtë duke përmirësuar kurrikulat universitare, së pari është për t’i kthyer mësuesit dinjitetin por edhe pagën edhe pse sot mësuesit kanë një nivel të themi të kënaqshëm të pagës, ne jemi të angazhuar që në këtë mandat paga e mësuesit të pësojë një rritje deri në 40%, ashtu sikurse edhe gjithë procesi tjetër që lidhet me karrierën, që lidhet me menaxhimin e shkollave, me administrimin në nivel shkollor të sistemit arsimor, po i adresojmë duke përdorur përvojën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare. Një angazhim tjetër, një detyrë tjetër që qeveria duhet ta përmbushë është pikërisht ta bëjë atraktive maturantëve, më të mirë, për të zgjedhur mësuesinë, ndaj dhe ne do të dedikojmë buxhete për ata maturantë me një mesatare të lartë, pra që i përkasin ekselencës që zgjedhin programet e mësuesisë dhe do të financojmë me bursa të plota gjithë studimet e tyre. Këto janë në vija të përgjithshme, ato që janë nevoja dhe unë në cilësinë e Ministres së Arsimit do të doja t’i adresoja tek ju, nuk mund të rrimë sikur nuk shohim, nuk mund të rrimë e të kërkojmë e të tjerrim historira të tjera, kur pika e kthesës për të pasur një sistem cilësor në arsim janë mësuesit dhe kur them pika e rëndesës për të pasur një sistem cilësor në arsim, do të thotë që për të pasur cilësi në të gjitha sistemet tona të arsimit të lartë, jo vetëm fakultetet ne mësuesi ,sepse do të jenë këto mësues që përgatisin gjithë të rinjtë dhe të rejat që i drejtohen universiteteve apo tregut të punës, pra duke përgatitur qytetarë, profesionistë dhe një shoqëri të shëndetshme që duhet të ketë gjithë përgjegjësinë dhe kredencialet për t’u kujdesur me atë që një komb ka pasurinë e vetë më të çmuar, që është kapitali njerëzor. Ne kemi bërë në fakt me shumë kujdes gjithë projeksionet, kemi parë analizat në rang numrash në fakt, për të gjithë institucionet që ofrojnë programet nga ku prodhohen mësues dhe shohim që 65 % p.sh. e të gjithë të pranuarve në të gjithë universitetet tona në programet e mësuesisë, janë me notën mesatare nën 8 dhe 23% janë me notën mesatare nën 7, këto janë referenca duke pasur parasysh të gjithë fakultetet e edukimit, pra gjithë institucionet e arsimit të lartë, por këtu ka diferenca nëse futesh dhe shikon situatën nga njëri universitet në tjetrën. Ka universitete që shifra e mësuesve me notë mesatare nën 7 apo të pranuarve në vit të parë me notë mesatare nën 7, është edhe mbi 50%. Ndaj këto kërkojnë qartësi, patjetër studimin e duhur, seriozitetin e duhur, por edhe një vullnet të shprehur që secili prej aktorëve në këtë proces të bëjë vetë detyrat e shtëpisë, dhe kur them detyrat e shtëpisë patjetër e para është qeveria, ministria e arsimit dhe sigurisht të gjithë ju partnerë të rëndësishëm dhe faktorë shumë të rëndësishëm të një procesi kaq të madh me rëndësi kombëtare, siç është ai i formimit të mësuesve. Unë ju falenderoj dhe patjetër lejomëni t’iu them edhe njëherë që sinqerisht kam qenë e bekuar që bashkëpunoj me ju, për të parë nga afër gjithë angazhimin dhe përkushtimin që keni, por edhe durimin për të na dëgjuar por edhe për të ndërtuar së bashku procese që nuk janë fort të lehta në kuptimin më të mirë dhe të plotë të fjalës, por duke ndarë bashkërisht dhe zhvilluar përgjegjësi në mënyrë që këtë shqetësim ne ta adresojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Faleminderit!{:}