Ministria e Arsimit dhe Sportit

Për protestën e studentëve, gjithmonë duke vijuar me rrugën e shpifjeve, me rrugën e denigrimit pa kursyer asgjë dhe askënd, gjithsesi unë jam këtu sot për të thënë disa të vërteta fare të thjeshta. Disa të vërteta të thjeshta që studentët, prindërit e tyre dhe shoqëria shqiptare e dinë fare mirë se si e latë ju arsimin dhe për çfarë bërtisni ju sot. Për çfarë fashash e keni fjalën, çfarë do të thoni për filialet që i hapet nëpër Shqipëri, po për kioskat universitare, po për mësuesit e përdorur e tekstet gjithfarëshe, për çfarë? Shpifja e dalë në gojën tuaj mendoni se është mënyra më e mirë për të bërë votat për nesër? Apo kujtoni se do të më zmbrapsni mua të ul kokën për baltën tuaj? Gaboheni, koha po flet dhe do të flasë për rezultatet tona në arsim, këtu do të jemi dhe do të shohim të gjithë. Do të flasë edhe për vendimmarrjet e mia, ndryshe nga ministrat tuaj sa nën presionin e partisë e po aq nën presionin e korrupsionit. Këtu do të jemi dhe do t’i shohim të gjitha. Oh sa rehat kanë qenë, e latë tërë sistemin arsimor krejt në rënie të lirë. Ndërkohë në këto 5 vite ne kemi ndërmarrë një reformë sistemike në çdo centimetër, nga kopshti deri në universitet. Ka ende shumë rrugë drejt cilësisë, por sot ka studentë protestues që nuk konkurrohen më nga universitete piramida, sepse universitetet me gjithë problemet që kanë, ende nuk janë vende ku parkohet papunësia rinore. E dini fare mirë ju se sa e thellë është ndryshimi midis një sistemi komplet mos efiçent e fiktiv edhe një sistemi që ende ka probleme për t’u përmirësuar. Më thoni një reformë modernizuese të sistemit arsimor në kohën tuaj, cilën, ato që i  latë kopshtet pa standarde arsimimi apo arsimin parauniversitar me kurrikulën më të vjetër dhe më të ngarkuar në Evropë ? A po, bëtë maturën shtetërore me kopjen që dilte nga zyrat e Ministrisë së Arsimit nga njerëz që sot janë bërë zëdhënësit e arsimit që do ndërtonit ju. Maturën hyrës në universitet që vetëm kishte emri meritë dhe preferencë por e tillë ajo nuk ishte. Çfarë reformuat ju, universitetet? Si e bëtë? Duke çelë filiale pa pedagogë, normal, sepse për ju universitetet ishin vetëm vende për të shitur diplomën. Ju jeni kampionët e mundësisë së artë që i dhatë çdo të riu të kishte dy, tre diploma në xhep, pse jo edhe doktoraturë pa kërkim, por aftësi dhe shprehi për të pasur sukses në tregun e punës, jo. Ju jeni ato aktorët për t’i dhënë mundësinë edhe çdo njeriu me precedentë për të mbushur CV e tij me diploma pa qenë një ditë në shkollë. Po universitetet publike pse i latë pa akredituar? Ju që akuzoni se reforma jonë favorizon vetëm privatin. Ku vajti miti që krijuat se reforma do të rriste tarifat apo do të çonte paratë tek privati? Ne shpenzojmë për studentë 46 mijë lekë më shumë se sa shpenzonit  ju, buxheti për arsimin e lartë është rritur 42% në raport me kohën tuaj. Studentët protestojnë me të drejtë, ato kanë nevojë për më shumë cilësi, por as krahasohen problemet e tyre me ato të para 5 viteve. Unë i kam përjetuar me shumë përgjegjësi kërkesat dhe thirrjet e tyre, ndryshe nga paraardhësit e mi, nuk kam marrë vendime nën presion, ndryshe nga paraardhësit e mi kam marrë vendime shumë të vështira, por mbi të gjitha jam kujdesur maksimalisht dhe kam bërë gjithçka që gjithë aktorët në sistemin tonë arsimor të kenë të gjithë hapësirën për të bërë rolin tyre sipas raportit të përgjegjësive. Por koha do të dëftojë edhe për këtë. Mjafton të sjellë në kujtesë vetëm dështimin spektakolar për të marrë vendimin për të akredituar Universitetin e Tiranës, dhe e dini çfarë ndodhi? U morë vendimi për të mos akredituar asnjë prej universiteteve publike. Ju kujtohet shkulja e tërë aktorëve të ministrisë së arsimit vetëm pas një urdhri që duhet të fitonte ky dhe ky rektor në një prej institucioneve tona të arsimit të lartë publik, për të vjedhur vota dhe për të ndryshuar vendimmarrja e pedagogëve. Nuk po shtoj këtu titujt akademik të dhënë me defekt apo doktoratura për merita të veçanta të fituara me kohë të përshpejtuar. Unë nuk i fshihem dhe nuk i bishtnoj asnjë përgjegjësie, por jam aq e qartë dhe e vendosur që kjo protestë të kthehet në një moment të ri për arsimin tonë të lartë, për të mos humbur asnjë ditë kohe për të rrënjosur kulturën e përgjegjësive të reja për gjithë aktorët në jetën e arsimit tonë të lartë. Fakti ynë për universitetin do të japë përgjigjen jo thjeshtë dhe vetëm 8 pikave të kërkesave të studentëve, por do të jetë përtej më shumë, një standard i ri për një cilësi të re. Dialogu ka filluar, ai sheh vetëm të vërtetën në sy, unë, e gatshme për të zhvilluar çdo përgjegjësi.

Faleminderit!