Ministria e Arsimit dhe Sportit

Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në prezantimin e procesit të sistemimit të mësuesve fitues në provimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë”

Përshëndetje!

Jemi sot, në qytetin e Shkodrës, në qytetin e traditave në arsim, por jo vetëm, për të vijuar me procesin që lançuam kohë më parë “Mësues për Shqipërinë”. Të dashur drejtues të arsimit, të dashur drejtues shkollash, mësues e prindër është momenti të finalizojmë këtë projekt të rëndësishëm që është zgjidhje për emergjencën kombëtare në arsim, ku evidentuam rreth 4000 mësuesve pa arsim përkatës ose jashtë profilit.

Përtej kësaj, ky është një sistem i shëndetshëm, është përgjigjja e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, sepse vetëm modernizimi i sistemit do të mundësojë që çudirat e Lizave apo të truprojave të mbeten jashtë dhe që ryshfeti ta ketë të pamundur të jenë pjesë e punësimit. Pjesë e punësimit tuaj do jetë vetëm merita, konkurrenca dhe transparenca.

Në provimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë” i cili u mirëadministrua në bazë të rregullave strikte nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, morën pjesë 5271 mësues në 25 profile. Sipas rezultateve që janë bërë transparente, vlerësimi pozitiv  morën vetëm 2082 kandidatë, pra 40% e tyre.

Në Qarkun e Shkodrës morën pjesë 303 kandidatë dhe fituan vetëm 116 prej tyre. Në Qarkun e Tiranës nga 280 kandidatë fituan 111. Në Tiranën Qytet nga 1089 kandidatë fituan vetëm 494. Në Durrës morën pjesë 314 kandidatë nga të cilët fituan 137. Në Vlorë morën pjesë 341 dhe fituan 131. Në Kukës nga 60 fituan 29. Në Dibër nga 92 fituan 39, ndërsa në Lezhë nga 157 fituan 69 kandidatë.

Rezultatet më të mira janë arritur nga mësuesit konkurrent në Drejtorinë Arsimore Tiranë, Fier dhe Lezhë, ndërsa rezultatet më të dobëta janë ato në Elbasan, Gjirokastër, dhe Tirana Qark.

Përtej polemikës boshe të këtyre ditëve, përtej zhurmës dhe tymnajës për përfitime meskine,sot jemi për të folur qartë e në mënyrë transparente, duke demonstruar se si ky sistem do t’i përgjigjet emergjencës në sistemin arsimor.

Lejomëni t’ju them, të dashur mësues e prindër që sigurisht nuk e kam të vështirë, sepse gjërat e vërteta kanë mundësi të thuhen thjeshtë dhe shkoqur, por këtë nuk mund ta kuptojnë të gjithë ata që kishin gjithë mundësinë të realizonin këto sistemi transparente.

Ne, sot kemi të gjitha arsyet për të shprehur qartë atë që po bëjmë bashkërisht, për të mundësuar jo vetëm një proces transparent në luftë të hapur me korrupsionin në emërimet në arsim, por ajo që është më e rëndësishme, të çojmë në shkollat ku mësojnë fëmijët tanë mësuesit që ofrojnë cilësi më të lartë.

Në një kohë, kur ata që punësuan 4000 mësues pa arsim përkatës dhe jashtë profilit, lejuan që 1 në 4 nxënës jo të një klase, të ishin në duart e një qytetari, por që kurrsesi nuk mund të ishte mësues, sepse nuk kishte lidhje me lëndën që jepte. Por, sigurisht ne jemi të vendosur për mirëformimin dhe miredukimin e fëmijëve tanë.    

Është e qartë, besoj, se sistemi i ri i punësimit është kthesa më e madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe për vendosjen e cilësisë në shkolla, sepse është bazuar në tri shtylla ku operojnë të gjitha shoqëritë demokratike dhe ku bazohet suksesi i të gjitha shoqërive evropiane, meritë, konkurrencë dhe transparencë.

Por, ata që nuk e kanë kultivuar transparencën, e quajnë paligjshmëri. Ne kemi 4000 dëshmi se si u shkel ligji, duke vendosur mësues pa arsim përkatës apo jashtë profilit.  Ndaj është emergjente ta ndryshojmë këtë situatë, jo vetëm duke vendosur mësues të profilit, por edhe duke ndryshuar situatën e cilësisë për arsimin e fëmijëve tanë.

Është papërgjegjshmëria e djeshme, abuzimi me punësimin në arsim, normalitet deri dje, që i çon ata tek llogorja e baltës dhe e shpifjeve.

Kjo në fakt është punë e tyre dhe unë sot, jam këtu për të folur për punën tonë, për atë punë që po bëjmë bashkërisht, falë pasionit dhe talentit tuaj për këtë mision fisnik që është mësuesia.
 

Meritën ne e shohim si themelin bazë, jo vetëm për të zgjidhur këtë situatë emergjente në arsim, por edhe për të mundësuar një cilësi të re në shkollat tona, një cilësi të re të mësimdhënies. Ne jemi të vendosur për ti thënë  të vërtetat, sepse nuk ka gënjeshtër më të madhe që ju është thënë mësuesve, prindërve, gjithë shoqërisë  duke mos u lexuar rezultatet tejet të ulëta të kalimit në provimin e shtetit, apo edhe në testimin që realizuam.

Koha e gënjeshtrave ka marrë fund në arsim!

Ne, jo vetëm që po adresojmë një sistem të ri punësimi për mësuesit bazuar në meritë, konkurrencë dhe transparencë, por po punojmë shumë fort me universitetet e edukimit për të mundësuar një sistem të ri mbështetjeje për mësuesit e rinj dhe për ata që janë në sistem, në mënyrë që cilësia në arsim të jetë kryefjala e punës sonë.

Jemi po aq të vendosur që të masim punën, së pari të çdo përfaqësuesi të DAR/ZA-ve, çdo përfaqësuesi të MAS-it dhe institucioneve të varësisë, me rezultatet konkrete të asaj çfarë ndodh çdo ditë, çdo orë mësimi, në çdo qark të Shqipërisë.

Ndaj, të dashur miq, koleg, prindër bëhuni zëdhënës të fortë të këtij procesi, jo thjesht duke e mbështetur si një reformë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por duke mbrojtur fort atë që është e ardhmja e fëmijëve tanë.

Bëheni këtë duke monitoruar çdo lëvizje që do të realizohet për të mundësuar punësimin e mësuesve të rinj, në respekt të ligjit.

Përzgjedhja e mësuesve nga sistemi do të jetë e hapur, transparente në sytë e gjithë publikut.  

Faleminderit!