Ministria e Arsimit dhe Sportit

Të nderuar kolegë,
E nderuar znj. Zhupa,
Të nderuar ju kolegë që keni bërë kërkesën për interpelancë.

Në fakt interpelanca daton një ditë para mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kur ne kemi miratuar VKM dhe unë në fakt pas mbledhjes kam bërë një dalje publike ku kam prezantuar në mënyrë të hollësishme të gjitha argumentet pse është marrë ky vendim.
Dua ta nis me një thirrje, veçanërisht me ju zonja Zhupa. Shpeshherë jeni drejtuar me fyerje për Akademisë së Shkencave. Madje në datën 5 qershor, ju kam ndjekur personalisht, ku keni thënë Akademia e Shkenca është akademia e ish politikanëve të dalë në pension të mbledhur nën tutelën e Skënder Gjinushit. Nuk e di nëse i qëndroni Akoma, por nëse i qëndroni kjo është një fyerje për Ismail Kadarenë, për Luan Omarin, për Bardhyl Golemin, Besim Elezin, Muzafer Korkutin, Ethem Likaj, Emin Riza, Apollon Baçe, Fatos Kongoli, Arben Merkoçi, Xhevahir Spahiu, Rexhep Mejdani, Pëllumb Xhufi, e plotë të tjerë. Madje kemi dhe anëtarë të jashtëm, nderi që nga Ermonela Jaho, Eno Koço, Fjoralba Cakoni, Bardhyl Demiraj, e plotë të tjerë, ndjesë që nuk ua përmend emrin.

Këta qenkan mbledhur nën tutelën e Skënder Gjinushit sipas jush, akademikë të nderuar që i bëjnë nder jo vetëm akademisë së shkencave, por të gjithë Shqipërisë si mundet të fyhet një institucion i tërë nga urrejtja personale, nga inati që keni me një individ profesor Skënder Gjinushi, i cili është zgjedhur me votat e këtyre që përmenda, këtyre akademikëve. Asambleja voton kryetarin e akademisë së shkencave. Madje edhe pretendimi juaj që nuk e ka dekretuar presidenti, ligji e ka sqaruar më së miri, nëse nuk e dekreton presidenti, i kthehet përsëri asamblesë, dhe asambleja merr vendimin.

Kryetari i Akademisë së Shkencave është plotësisht legjitim në detyrën e tij. Akademia e Shkencave është institucioni që na bën krenarë. Kemi ç’kemi me një individ apo një tjetër, dhe ju pohoni që i qëndroni kësaj deklarate, ish politikanë të dalë në pension të mbledhur nën tutelën e Skënder Gjinushit është një fyerje e rëndë, unë nuk do ta pranoja.
Le t’i rikthehemi argumenteve. E deklarova që ditën kur morëm këtë vendim. Nuk bëhet fjalë as për zhdukje siç thoni ju, nuk flitet as për shkrije, po zhduken 100 studiues thoni ju, po se ku po zhduken studiuesit nuk e di. Vendimi parashikon bashkim, parashikon riorganizim të Akademisë së Studimeve Albanologjike, që gjithashtu unë jam konsistente, kam vlerësimet maksimalë edhe për studiuesit që janë pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe që pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të Akademisë së Shkencave.

Nga 55 anëtarë të akademisë së shkencave, gati gjysma janë punonjësit aktual dhe disa jo aktual të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Pra nuk shkon ai paralelizmi kur thua sikur ta marrim akademinë e arteve dhe ta çojmë të akademia. Po flasim për të njëjtën gjë.

Dua ta nis si lindi Akademia e Studimeve Albanologjike. Institutet kanë qenë gjithmonë pjesë e Akademisë së Shkencave deri në vitin 2007. Në vitin 2007 u mor një vendim që këta të shkëputen dhe të krijohet akademia. Por në mënyrë të vazhdueshme i është kërkuar të riorganizohet në përputhje me ligjin.

Tani unë ju dëgjoj që thoni me një të rënë të lapsit, e mbyllmi. Po si mi me një të rënë të lapsit, ja ku i kam shkresat. Ju merrni fotografi, por merrni shkresat që i jam drejtuar unë personalisht me shkresë zyrtare, në 22 qershor 2021 i jam drejtuar Akademisë së Studimeve Albanologjike që të riorganizohet në përputhje me ligjin. Por asnjëherë, edhe me shkresa zyrtare, edhe me takime, ja ato që ju prezantoni, asnjëherë nuk kanë pranuar të riorganizohen sipas ligjit. Tani ne jemi tani institucion që bëjmë ligje dhe tani të justifikojmë shkeljen e ligjit?
Sot akademie e studimeve Albanologjike është institucion i arsimit të lartë dhe ligji e ka në mënyrë eksplicite më se të qartë, një akademi duhet të ketë një fakultet, nuk e ka, nuk ka mësimdhënie, nuk është akredituar, nuk ka studentë. Po këto janë baza e një institucioni të arsimit të lartë. Si mund të ketë një institucion të arsimit të lartë kur prej 8 vitesh, nuk është regjistruar asnjë student, zero. Keni një dokument që të ma faktoni që nuk është e vërtetë?
Dua të më thuash pse të gjitha deklaratat e mia i kundërshton. Pa prej 8 vitesh nuk ka asnjë student. Ligji përsëri e thotë qartë, nëse për dy vite nuk ka të regjistruar një student duhet të mbyllet. Dhe është vetë institucioni që aplikon për mbyllen e programit të studimit. Nuk e kanë bërë. Kanë doktorantë prej vitesh që nuk po i çojnë dot drejt kurorëzimit me suksese dhe ju kam dëgjuar që të thoni, po kështu është doktoratura, zgjat shumë. Po ligji e ka të qartë kohën sa duhet të zgjasim doktorata, kanë 12 vite me doktoraturën. Ne nuk po i hedhim në rrugë por po garantojmë transferimin e tyre në institucione të tjera të Arsimit të lartë, në universitetet që kanë programe të ngjashme. E kemi garantuar ne dhe e kemi të shkruar në VKM.
VKM-ja i parashikon të gjitha, edhe studiuesit, edhe institutet, edhe pasuritë, edhe asetet gjithçka transferohet, asgjë nuk hidhet në erë. Se ju po bëni sikur ne po i zhdukim. Si po i zhdukim neve? E thoni shpesh po zhdukni 100 studiues. Ky është qëllimi i VKM-së. Qëllimi është që të riorganizohet, të vijë në përputhje me ligjin, sepse është totalisht në shkelje të ligjit dhe përveç kësaj ta ngremë në një nivel të ri. Akademia e shkencave është maja, është institucioni majë i shkencës në vend përfshirë dhe albanologjinë.
Është nder për ne që t’i kemi të gjithë studiuesit, të gjithë akademikët bashkë për të vijuar ato projekte të mëdha.
Ju e dini shumë mirë që Akademia e Shkencave ka projektin e madh të Albanologjisë, Enciklopedia shqiptare në bashkëpunim me Kosovën. Është projekti më i madh i Albanologjisë ndonjëherë që drejtohet nga dy akademi të shkencave, akademia shqiptare dhe akademia e Kosovës. Pra të gjithë argumentet që thoni nuk qëndrojnë.
Pse çfarë interesi kemi ne, do zhdukim ne Albanologjinë. Vendim antishqiptar. Asnjë nga deklaratat e juaja nuk bazohet në një shkresë, në një dokument zyrtar, në një argument ligjor, zero. Ne jemi institucione që bëjmë ligjet këtu dhe ne duhet të jemi të parët.
Pra si e interpretoni ju që ata nuk kanë një akademi. Ligji e thotë, një akademi, nuk e kanë, ligji thotë studentët, nuk i kanë.

Të kam dëgjuar të thuash që ata kanë kërkuar të hapin programe, por i ka penguar ministria. Tani që të hapësh program, kush e hap programin? E hap njësia bazë, duhet ta hapë departamenti, duhet ta hapë fakulteti, ata nuk kanë, si do ta hapin. Në cilin ligj thuhet që e hap një institut.

Pra kanë refuzuar të përshtaten me ligjin dhe pse i kemi dhënë shumë kohë, i kemi pritur dhe vjen një moment që në janar të këtij viti, ministria e Arsimit e ka detyrim ligjor që të bëjë kontrollin e ligjshmërisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Dhe gjatë kontrollit në Akademinë e Studimeve Albanologjike u konstatuan të gjitha këto që thashë po dhe shumë të tjera.
Pra që nga mënyra se si është struktura, ka shkelje ligjore, por edhe si funksionon.
I kam përmendur, mund t’ua përsëris edhe njëherë edhe nga ana funksionale, nuk kanë as audit, nuk kanë as regjistra, nuk kanë dokumentacion si e kanë punësuar personelin administrativ.
D.m.th. raporti që ka bërë grupi i punës është aq plotë dhe i ka të renditura një më një të gjitha shkeljet që janë bërë në këtë institucion.

Për shkak të paligjshmërisë, për shkak të këtyre shkeljeve dhe së dyti për ta ngritur në nivelin që duam të gjithë albanologjinë, u mor vendimi i këshillit të ministrave për ta bashkuar, Akademinë e Studimeve Albanologjike me Akademinë e Shkencave.
Ju thoni i keni bërë nder Gjinushit dhe e thoni vazhdimit, a thua se Gjinushi do ta marrë akademinë do ta çojë në shtëpi. profesor Gjinushi është i zgjedhur, e kanë zgjedhur këta të Akademisë së studimeve Albanologjike.
Edhe ajo akuza që thoni ju është shkelur ligji, se cili ligj, se cili nen nuk e thoni asnjëherë. Është shkelur liria akademike thoni ju, ose liria dhe autonomia. Por liria akademike është kur je legjitim, jo kur nuk je legjitim, pra të bësh ti ç’të duash e të thuash kam liri akademike mos hajde ti. Kam autonomi unë mos hajde. Autonomia është të respektosh ligjet një më një. Pra nuk jemi në kushtet kur një institucion, i merr vete vendimet për të bërë vetë ndryshime në statut. Jo, jemi në kushtet kur janë në paligjshmëri. Dhe pjesa më e madhe e punonjësve të ASA janë dakord me vendimin, sepse aktualisht janë.

Pjesa më e madhe janë pro këtij vendimi sepse janë bashkëpunëtorë të ASHSH në projekte shumë të rëndësishme, projekti i enciklopedisë, fjalorit të gjuhës shqipe.

Tani ju më akuzoni pse je takuar, nxjerr një foto që kam takuar senatin, a thua se është shkelje ligji dhe është një takim i paligjshëm. Nga njëra anë thoshit i keni bërë të pakonsultuara, nuk takoheni, nga ana tjetër thua ja ku i keni takuar.

Unë kam vlerësimin maksimal për ata studiues. E kam thënë edhe ditën kur u mor vendimi, dhe bëra deklaratën publike. Janë studiues të nderuar por institucionalisht kanë dështuar ta sjellin institucionin në rrugën ligjore.

Ai institucion ashtu siç është i organizuar, dhe siç ata kanë refuzuar të ndryshojnë por duan të qëndrojnë ashtu, nuk e ka asnjë ligj. Nuk ka hapësirë ligjore.
Kur ne i bëjmë kërkesë “hajdeni në përputhje me ligjin”, ata thonë “jo, na bëni një ligj siç keni bërë ligj për akademinë e shkencave”.
Nuk bëhet ligji sipas institucionit, por institucionet bëhen sipas ligjit.

Mund të rendis edhe shumë argumente të tjerë por e rëndësishme është që atë që thashë që në fillim ta kemi kryefjalë, që të tregojmë respekt për akademikët e nderuar, për institucionet. Dhe vendimi nuk është bërë asnjëherë me të rënë të lapsit, por është një vendim i konsultuar, për të cilin ka kohë që punohet sepse edhe grupi kontrollit të MAS ka punuar me muaj të tërë në ASA për të dalë në gjetje dhe konkluzione, të cilat gjithashtu janë paraqitur dhe janë marrë edhe observacionet, dhe në fund fare është marrë vendimi final.

Faleminderit!

########

PJESA E DYTË E FJALËS SË MINISTRES KUSHI

Të thuash që Akademinë e Studimeve Albanologjike nuk e kidh asgjë me Akademinë e Shkencave, unë nuk e di, është si të thuash që vajza nuk ka lidhje me nënën. Kështu i bie.

Sepse ne nuk mundet të hedhim, për inat të Gjinushit, hajde ta bashkojmë me universitetin e Tiranës. Ne nuk mund të bëjmë eksperimente ndërkohë që historia, misioni që ka përputhet shumë më mirë me Akademinë e shkencave se sa me çdo lloj IAL-je.

Megjithatë le të nisim një nga një argumentet.

Ju thatë që ligji nuk e detyron që të ketë 3 cilkle studimi. Nuk kërkuam ne 3 cikle, ne thamë të paktën një. Ata nuk kanë asnjë.
Ina mu përgjigj me këtë pyetje, nëse për dy vite nuk ka asgjë të regjistruar programi mbyllet. Kanë 8 vite pa asnjë të regjistruar. Tani më thoni, është e ligjshme apo jo?

E dyta ju thoni që e keni miratuar ju si institucion. E keni hapur ju, thoni. Tani vërtetë është hapur, por është hapur para ligjit të ri, të vitit 2015. Dhe kur u miratua ligji i ri ju kërkuat të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të riorganizohen në përputhje me ligjin.

Ky është ndryshimi. Pra ligji i vitit 2015 i ka dhënë detyrimin të gjitha institucioneve të riorganizohen. Akademia e Studeimeve Albanologjike është e vetmja që nuk u riorganizua asnjëherë.

Kishin 7 vite kohë për tu akredituar. Ju thoni: ia ndërpretë ju akreditimin.
Kur u akredituan të gjitha IAL-t publike para shumë vitesh pse ata nuk u akredituan asnjëherë?

7 vite pa proces akreditimi. Edhe nëse kanë shkuar tani është e sigurt që nuk akreditohen sepse s’kanë asnjë kriter. Duhet të plotësojnë kriteret. Prandaj nuk e bëjnë procesin sepse e dinë shumë mirë që nuk i plotësojnë kriteret. Natyrisht që nuk mund të akreditohen.

Kush janë dakord thoni ju. i kam me emra, janë publike, janë qëndrime të tyre publike në rrjete sociale.
Ethem Likaj, Besnik Baraj, Shabani, Sulçebe, adem Bunguri.

I kam marrë të gjithë ata që kanë bërë deklaratat. Do jua lë të shkruara, dokument.

Meqë ke merakun e anëtarëve apo punonjësve të ASA-s çfarë qëndrimi kanë, unë po e filloj që nga rektori aktual. Rektori Luan Përzhita, profesor i nderuar kam shumë respekt, është anëtar i komisionit të përhershëm të arkeologjisë në Akademinë e Shkencave dhe autor i kontraktuar i grupit të studiuesve që po shkruajnë historinë e shqiptarëve.
Pra rektori aktual ka një kontratë me prof. Gjinushin. Ju këtu e refuzoni prof.. Gjinushin kurse rektori bashkëpunon dhe ka një kontratë së bashku. Shumë mirë, prandaj unë jam optimiste që bashkimi i këtyre dy institucioneve do të jetë i suksesshëm, sepse ata tashmë kanë edhe kontratë institucionale. AShSh dhe ASA kanë një kontratë bashkëpunimi. Po ashtu edhe të gjithë anëtarët, punonjësit kanë kontrata sepse janë angazhuar te prof.. Gjinushi me kontratë, njëri për enciklopedinë, tjetri për fjalorin, etj.
Kjo do të thotë që jo vetëm që i bashkon i njëjti mision Albanologjia. Por unë jam optimiste, sepse deri më tani e kanë patur bashkëpunimin shumë të frytshëm.

Thoni model sovjetik, nëse Vjenën e quani model Sovjetik, hajde shkojmë bashkë në Austri është i njëjti.

###