Ministria e Arsimit dhe Sportit

I nderuar kryeministër, të dashur të rinj e të reja, gëzohem që ju takoj. Madje disa prej jush tashmë i njoh sepse jemi takuar së bashku në tetor të vitit të kaluar kur së bashku me kryeministrin organizuam pikërisht në këtë sallë ceremoninë e medaljeve të arta për maturantët më të shkëlqyer nga i gjithë vendi.

Ja ku jemi sot përsëri këtu për një tjetër lajm të mirë. Për jerë të parë ne këtë vit kemi ofruar mbështetje studentore si asnjëherë më parë për të gjithë ata studentë, jo vetëm më të shkëlqyerit dhe fitues të olimpiadave, por dhe të gjithë ata studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare për zhvillimin e vendit. Programe të bujqësisë, mësuesisë, disa programe të inxhinierisë, të shërbimeve, të turizmit. E për të gjithë këta studentë ne kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa studimi me vlere sa paga minimale, me kushtin që pasi të diplomohen të paktën për 3 vite të jetojnë e të punojnë, e të japin kontribut për Shqipërinë tonë.

Politika jonë u miratua vitin e kaluar, në maj dhe afati i fundit i aplikimit ishte data 31 janar dhe sot këtu jam shumë e lumtur që janë përfituesit e parë të kësaj politike. Janë gjithsej 160 studentë nga i gjithë vendi, nga universitete të ndryshme publike të vendit. Më vjen mirë që shumica janë ata që studiojnë në programe prioritare. Janë 89 studentë nga programe prioritare dhe71 ekselentë që janë diplomuar në shkollën e mesme me të gjitha dhjeta, të tre vitet dhe provimet e maturës të gjitha dhjeta.

Të dashur studentë!
Ju jeni të parët që përfitoni nga kjo politikë. Madje nuk përfitoni vetëm përjashtimin nga tarifa dhe bursën mujore sa paga minimale, por ju kur të diplomoheni do të përfitoni edhe një punësim të shpjete. Sepse programet që ju keni zgjedhur janë programe prioritare për të cilat ka nevojë zhvillimi i vendit. Janë programe për të cilat ka nevojë tregu i punës. Dhe ne presim me padurim sa të diplomoheni.

E ndërkohë nga kjo politikë përfitojnë edhe prindërit tuaj, familjet tuaja, sepse jo të gjitha familjet mund t’i kenë mundësitë ekonomike që t’i mbajnë fëmijët e tyre gjatë studimeve, madje në kushte optimale.
Po kështu përfitojnë universitetet. Sepse disa prej tyre vitet e fundit kanë patur vështirësi, tronditje në disa programe që mund të kenë qenë edhe tradicionale për universitetet e tyre. Kanë qenë identiteti i vetë universitetin. Siç është mësuesia për Universitetin e Elbasanit apo universitetin e Shkodrës.

Prandaj unë jam shumë e lumtur që sot këtu kemi studentë përfitues jo vetëm nga Tirana, nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti Politeknik. Por ne këtu kemi studentë përfitues edhe nga Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Vlorës, dhe nga universitete të tjera jashtë kryeqytetit.

Por ajo që përfiton më shumë nga kjo politikë është Shqipëria jonë. Sepse do t’ju ketë që studioni këtu, punoni këtu, të kontribuoni këtu për institucionet tona. Dhe përfiton Shqipëria jonë për profesionet që ka nevojë zhvillimi i vendit, por që të rinjtë e të rejat nuk i preferojnë shumë, sepse tërhiqen nga disa programe të tjera. Por mbi të gjitha Shqipëria përfiton sepse ju jeni ndër më të mirët. Ju jeni studentët ekselentë dhe studentë me mesatare minimumi 8.5 që keni zgjedhur programet prioritare.

Kështu që ne sot jemi këtu në radhë të parë për t’ju falënderuar për rezultatet e shkëlqyera që keni patur. T’ju urojmë suksese për gjatë studimeve enë universitet.

Por ka edhe një arsye pse jemi këtu. Ne sot jemi këtu që nëpërmjet jush të ftojmë edhe maturantët e këtij viti të përfitojnë nga kjo politikë dhe të zgjedhin programet prioritare dhe të aplikojnë për këtë mbështetje studentore që është më e madhja ndonjë herë në vitet e fundit për studentët që studiojnë në universitetet shqiptare.

Ju vitin e kaluar nuk e kishit kohën e mjaftueshme sepse politika u miratua në maj dhe një pjesë e mirë e maturantëve e kishin vendosur programin që do të studionin. Por ndërkohë për maturantët e këtij viti ne e kemi të gjithë kohën e mjaftueshme dhe do të japim të gjithë informacionin e duhur, këshillimin e duhur që të marrin vendimin sa më të drejtë për studimet e tyre të larta.

Kështu që nuk më mbetet gjë tjetër vetëm t’ju uroj shumë suksese, të përfitoni nga periudha e studimit në universitet, sepse nuk përfitoni vetëm bursën, përjashtimin nga tarifat, por universitetet tona tashmë janë përfshirë në atë politikën e madhe të ndërkombëtarizimit. Universitetet tona janë në bashkëpunim të ngushtë me universitete ndër më prestigjiozet evropiane. Jo vetëm me programe të përbashkëta dhe të dyfishta, por edhe me programe të kërkimit shkencor apo të shkëmbimit, ku dhe studentët janë pjesë e këtyre programeve.

Kështu që përfitoni maksimumin. Shumë suksese dhe shumë faleminderit që keni përqafuar këtë politikë.