Ministria e Arsimit dhe Sportit

Të dashur të rinj e të reja gëzuar Ditën e Rinisë, Tirana dhe e gjithë Shqipëria!

Në fakt unë sot kisha menduar të flas pa letër. Por duke parë kaq shumë njerëz, duke parë këtë event kaq madhështor po ndjej përgjegjësi më shumë se sa në një konferencë shkencore. Kështu që kam planin B këtu, për tu siguruar që t’i them të gjitha mendimet ashtu siç i kam shkruar në letër.

Të dashur të rinj e të reja, unë besoj që 8 dhjetori këtë vit nuk mund të vinte më bukur se kaq.
Këtë vit morën lajmin e bukur të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Viti 2022 u shpall nga KE si “Viti i Rinisë, dhe Tirana u shpall Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me rreth një mijë aktivitete dhe me mbi 105 mijë pjesëmarrës.

Kemi ndërmarrë një sërë reformash, politikash për rininë. Politika arsimore, siç ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve, apo mbështetja studentore, por edhe shumë politika që lidhen shumë me punësimin e të rinjve. Me vetëpunësimin, me sipërmarrjen me Start-up’et.
E “qershia mbi tortë” ishte samiti i BE-së këtu në Tiranë para dy ditësh.

Tirana dhe gjithë Shqipëria e ka ende të freskët atmosferën e dy ditëve më parë kur përjetuan një ngjarje të jashtëzakonshme, historike për Shqipërinë sepse BE-ja për herë të parë vendosi të zhvillojë në një vend jashtë BE-së një samit të këshillit.

Fakti që zgjodhi pikërisht Shqipërinë, për ne është një vlerësim dhe nder i madh që duhet të na bëjë të gjithë ve të lumtur e krenarë, sepse përveç se është një ogur shumë i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, është dhe promovimi më i mirë që mund t’i bëhej Shqipërisë sonë të bukur dhe mikpritëse.
E unë besoj se pas këtij samiti, të gjithë duhet të jemi dhe më të bashkuar, të majtë e të djathtë, i madh e i vogël, veri, jug, Tiranë e çdo qytet, për t’i treguar Evropës që ne jemi gati, jemi të bashkuar drejt rrugëtimit për në integrimin evropian .

Në 8 dhjetor të vitit 1990 rinia dha një kontribut të pazëvendësueshëm për pluralizmin politik, për vendosjen e demokracisë, por edhe për të vulosur orientimin perëndimor dhe evropian të Shqipërisë. Por sot rinia shqiptare ka një rol dhe një mision edhe më të madh, që të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor, por edhe politik të Shqipërisë.
Dhe programi Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë është një model i shkëlqyer bashkëpunimi, kontributi, dialogu dhe sinergjie midis të gjithëve bashkë.
Faleminderit Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të bashkisë që beson tek rinia, që beson tek nxënësit tanë, tek studentët, duke u besuar 8 projekte rinore, duke përfshirë këtu edhe projektin e parlamentit të nxënësve të Shqipërisë, Rinia në sytë e mi, e cila përfshiu nxënës nga të gjitha shkollat dhe të gjitha qytetet

Por unë besoj që rinia shqiptare duhet të ketë edhe një mision tjetër. Një mision shumë të rëndësishëm. Faik Konica që në vitin 1897 thoshte:
“Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti. Por më parë nga të gjitha të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”.
Shumë e vërtetë dhe aktuale është kjo shprehje edhe pas kaq shumë vitesh.

Kemi kapërcyer kaq shumë sfida të vështira, luftëra, fatkeqësi natyrore, që na kanë bërë padyshim më të fortë, dhe na kanë bërë ta duam edhe më shumë Shqipërinë tonë. Por a e duam edhe më shumë njëri tjetrin. A jemi edhe më të bashkuar se më parë? A mos vallë ndonjëherë apo dhe shpesh urrejtja na verbon. Dhe duke luftuar njëri-tjetrin i bëjmë dëm Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
E kush më mirë se rinia mund të kontribuojë për këtë mision të rëndësishëm. Që tek sa ushqejnë dashurinë për Shqipërinë, për atdheun, për vendlindjen, të largojnë gjuhën e urrejtjes.

Dhe siç thoshte Konica, të duam dhe të respektojmë edhe më shumë njëri tjetrin. Ky është kontributi më i madh që mund të bëjmë të gjithë së bashku për Shqipërinë tonë.

Dhe po e mbyll këtu fjalën time me lajmin e bukur që tashmë të gjithë e dini.

Vitin e ardhshëm Tirana do të jetë Qyteti Evropian i Sportit. Tirana do të nisë një tjetër rrugëtim, edhe më të bukur, edhe më energjik, edhe më dinamik, edhe më zhvillues. Dhe kjo do të jetë një tjetër mundësi e shkëlqyer për nxënësit tanë, studentë, të rinjtë që të angazhohen edhe më shumë në aktivitete sportive për një jetë sa më të shëndetshme, fizike dhe sociale.

Dhe unë në cilësinë e ministres së Arsimit dhe sportit ofroj mbështetjen time maksimale që dhe ky projekt i madh të jetë një sukses i bukur për Tiranën tonë.

Shumë faleminderit të gjithëve.
Ta gëzojmë Ditën e Rinisë!
Suksese të gjithëve, faleminderit!