Ministria e Arsimit dhe Sportit

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Konferencën Rajonale për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Të nderuar Ministra,

Të nderuar të pjesëmarrës,

Inovacioni, teknologjia dhe dijet e konsoliduara janë vetë sfidat tona dhe janë sfida që duhen fituar, pa asnjë dyshim, në rrugën e integrimit rajonal dhe evropian.

Që në zanafillën e vet, sfidat e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, sfidat e përafrimit të sistemeve arsimore dhe universitare, në kuptimin e standardeve dhe cilësisë, brenda vendeve të Bashkimit Evropian, kanë shoqëruar dhe janë ndërthurur ngushtë me çështjet dhe problematikat e integrimit politik dhe ekonomik të kësaj hapësire. Një hapësirë, tashmë, destinacion sidomos në kuadrin e standardeve që duam të arrijmë në kuadër të cilësisë në arsimin e lartë. Një hapësirë burim eksperiencash për t’u hulumtuar e për t’u pasur parasysh gjatë udhës tonë të reformave.

Me këtë vetëdije, ndërtimi i një hapësire të përbashkët për arsimin e lartë – në Strategjinë e Lisbonës, reformimi dhe integrimi i sistemeve të arsimit të lartë në një hapësirë unike përfaqëson një ndër shtyllat kryesore të saj – duhet të shihet si një domosdoshmëri në rrugën e ngritjes dhe forcimit të cilësisë në sistemet tona. Eksperiencat e vendeve tona duhet të ndërthuren në kuadër të shkëmbimit të njohurive, dijeve dhe kapitalit njerëzor. Është me rëndësi jetike që procesi i shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkërendimit të politikave të jetë një proces që të shoqërojë hap pas hapi reformat e ndërmarra në arsimin e lartë.

Lejomëni, të dashur pjesëmarrës, të vendos theksin mbi rëndësinë historike të kësaj Konference dhe në kuadrin e integrimit rajonal të faktorit shqiptar brenda integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti, është një dritare mbi të ardhmen tonë. Dhe linjat që ne heqim sot, do të jenë nesër kolonat e të ardhmes tonë të përbashkët. Ne nuk mund të reformojmë sistemin e arsimit të lartë pa pasur parasysh integrimin e plotë të sistemit tonë arsimor për shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, si baza e rritjes dhe edukimit të gjeneratës tjetër të shqiptarëve në BE, për gjithë rajonin.

Dija nuk është biznes, por është politika më e mirë sociale, ekonomike dhe kulturore. Ndryshimet që ne propozojmë sot në botën e universitetit dhe kërkimit shkencor janë farëza të një ndryshimi kulturor dhe ekonomik. Për këtë arsye, sot na kërkohet të jemi dhe më të përgjegjshëm në hapa që ndërmarrim por dhe të mos ndalemi në rrugën e ndryshimit që mëton të ndërtojë të ardhmen duke luftuar, të paligjshmet, privilegjet, korrupsionet, lehtësirat që cenojnë cilësitë.

Shqipëria që prej vitit 2013-të ka firmosur Deklaratën e Bolonjës, me aspiratën për të qenë pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë dhe për t’u përfaqësuar me dinjitet aty. Ndër vite janë bërë përpjekje për të ecur përpara, për të plotësuar objektivat e këtij procesi, por jo gjithmonë përpjekjet na kanë çuar aty ku shpresohej.

Në vitin 2013-të, Shqipëria kishte 59 Institucione të Arsimit të Lartë, nga të cilat 15 publike dh 44 jopublike. Ne ndërmorëm një inspektim të rëndësishëm në gjithë këto institucione se është detyra e çdo qeverie për të kontrolluar cilësinë. Ndaj kontrolluam gjithë kriteret që ligji përcakton për funksionimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Arritëm të zbulonim fakte që ishin deri në kufijtë e absurdit. Politika e masivizimit të arsimit të lartë, jo gjithmonë u mbështet me reforma të plota. Dhe pikërisht pamundësia dhe mungesa e reformave të plota kishte komprometuar rënd cilësinë, deri në shkelje të rënda të ligjit në disa prej Institucioneve të Arsimit të Lartë. Kishte institucione që funksionin si piramida shit-blerjeje diplomash, duke u ofruar ëndrra të gënjeshtra të rinjve.

Reaguam menjëherë edhe pse ishte ndër vendimmarrjet më të vështira të Qeverisë Shqiptare, por ishim të vendosur për të filluar një histori të re suksesi të të rinjve shqiptar, pa cënuar ëndrrën e tyre.

Reaguam menjëherë duke mbyllur 18-të Institucione të Arsimit të Lartë privat dhe pezulluam 13-të të tjerë. Sigurisht zgjodhëm rrugën e vështirë sepse besojmë se fëmijët tanë meritojnë të kenë një të ardhme ndryshe dhe Shqipëria meriton të jetë pjesë e hapësirës dinjitoze evropiane të arsimit të lartë.

Zgjodhëm rrugën e vështirë, por të vetmen që na çonte tek cilësia në arsimit e lartë.

Paralelisht me këtë proces u punua për reformën ne arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Për këtë u zgjodh një rrugë tjetër, jo ajo e vendimmarrjes politike nga Ministria e Arsimit apo Qeveria Shqiptare, por ndërtuam një proces të ri politikbërje në vend duke shënuar një standard të ri.

Një Komision profesionistësh, drejtuar nga Prof. Arjan Gjonca, por edhe anëtarë të tjerë  të pavarur dhe gjithëpërfshirës, arritën që të orientonin gjithë debatin publik me Institucionet e Arsimit të Lartë, grupet e interesit, Profesoratin, studentët, për të mundësuar një reformë tërësore në sistemi tonë të arsimit të larte dhe kërkimit shkencor.

Tashmë, në Shqipëri, ne kemi hyrë në një fazë vendimtare të këtij procesi pasi një viti të tërë debati publik dhe dëgjesave publike me Institucionet e Arsimit të Lartë. Një draft-ligj është miratuar dhe dërguar tashmë për diskutim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga ana e Qeverisë që unë përfaqësoj. Ky draft është produkt i një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe unik.

Falë bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë të rëndësishëm dhe Këshillit Britanik, kemi ftuar një agjenci prestigjiozë, anëtare e ENQA-s, (Organizata Evropiane e Sigurimit të Cilësi në Arsimit e Lartë) e cila do të mundësojë procesin e akreditimit, pra vlerësimin e cilësisë për të gjitha IAL-të, publike dhe private dhe për të mundësuar një raportim transparent publik brenda muajit dhjetor.

Për këtë u ngrit një komision i posaçëm i cili kishte në përbërjen e tij profesorë dhe akademikë me eksperiencë brenda dhe jashtë vendit, në universitetet shtetërore dhe ato private. Një komision që u konsultua në punën e tij dhe përfshiu mendimet dhe propozimet e të gjithë aktorëve të prekur na kjo reformë.

Katër janë shtyllat dhe ndryshimet kryesore që kjo reformë mëton të sjellë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Së pari, një skemë e re financimi, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. Shteti do të jetë gjithmonë e më shumë financuesi i arsimit të lartë, por këto financa, taksa të qytetarëve shqiptarë, duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Treguesit e performancës të universiteteve tona do të krijojnë kushtet për modernizimin e universiteteve, përmirësimin e shërbimit të ofruar, rigjenerimin e kërkimit shkencor në funksion të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar etj. etj.

Së dyti, financimin publik më të drejtë për studentin, duke iu gjendur pranë studentëve në nevojë, duke krijuar një fond të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë në pamundësi financiare dhe për t’iu mundësuar atyre ndjekjen e studimeve. Do të krijohet një fond i posaçëm bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështet posaçërisht studentët me rezultate ekselente.

Pra, më shumë financim publik, për ata që kanë më shumë nevojë e aty ku ka më shumë nevojë shoqëria e ku gjenerohet ekselenca.

Së treti, më shumë autonomi për universitetet, duke deleguar drejt universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh të rëndësishme siç janë ato mbi numrin e studentëve të pranuar, kritereve të përzgjedhjes, tarifave të studimit, numrit të stafit akademik. Universitetet do të kenë të drejtën për të promovuar vetë stafin akademik. Autonomi universitare, si produkt i balancës mes lirisë së mirëfilltë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut.

Së katërti, modernizimi i qeverisjes së brendshme, duke i dhënë autoritet të qartë senatit akademik mbi qeverisjen akademike të Institucioneve të Arsimit të Lartë, mbështetur në një strukturë administrative në shërbim të misionit të IALS-së. Pra, një koncept më modern të qeverisjes së universiteteve, siç është dhe ai i fokusimit të stafit akademik në detyrat akademike, mbështetur me administrator profesionistë.

Ky ligj, mundëson standardizim e të gjithë hapësirës sipas parimit “një kut, një masë”, një sistem qeverisës, një set standardesh trupëzuar në një Kod Cilësie, një sistem sigurimi cilësie, një sistem të unifikuar kontrolli të ligjshmërisë, në konkurrencë të drejtë, që ofron arsim të lartë cilësor, por dhe orientimin e dijes drejt nevojave të tregut.

Gjithashtu, ky ligj modernizon kërkimin shkencor në universitete, duke e shndërruar punën kërkimore në një tregues të matshëm dhe të krahasueshëm në kuadrin e cilësisë së universitetit; ridimensionon agjencitë ekzistuese, duke i afruar me modelet më të mira evropiane dhe duke modernizuar shërbimet e ofruara prej tyre.

Kemi tashmë një Këshill të ri Akreditimi që është një vlerë e shtuar e këtij procesi në të gjitha kuptimet, për të garantuar profesionalizëm e siguri në rrugën e reformave në arsimin e lartë e që drejtohet  nga Prof. Arjan Gjonca, Agjencia e Akreditimit ka një shans të ri për të përmirësuar punën dhe për të mundësuar kapacitete në rrugën e saj për të qenë anëtare e ENQA-s.

Nisur nga rëndësia e saj, ne e shohim rrugën e reformimit të sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vendin tonë të pandarë nga reformat dhe eksperiencat e rajonit dhe me gjerë, në hapësirën evropiane.

Investimi në formimin dhe kualifikimin e kapitalit njerëzor, kërkon krijimin e sinergjive të domosdoshme, në funksion të këtij qëllimit, mes burimeve si publike ashtu dhe private. Përpos investimeve publike, ne jemi angazhuar në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë që të zhvillojmë edhe kulturën e donacionit nga bizneset. Kështu do të kontribuonim realisht për të çuar drejt arsimit të lartë më shumë para nga biznesi dhe shoqëria.  Pasi, sfida e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor është një sfidë që përfshin dhe prek shoqëritë tona pa asnjë përjashtim.

Investimi në kapitalin njerëzor si pasuri më e madhe e vendeve tona, investimi në përgatitjen e çdo të reje e të riu, në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, vjen si një domosdoshmëri ndaj problematikave të zhvillimit që prekin vendet tona. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa këtë investim. Pa zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm lokal por dhe rajonal, nuk mund të ketë as integrim rajonal e as integrim në familjen evropiane.

Faleminderit!