Ministria e Arsimit dhe Sportit

Sot në këshillin e ministrave morëm një vendim i cili plotëson kuadrin ligjor të Arsimit të Lartë për sa i takon statusit që mund të kenë institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Deri më sot ne kemi ne kemi IAL publike dhe jo publike, ndërkohë që me vendimin që morëm sot ne do të kemi edhe një formë të re, që janë institucionet e arsimit të lartë publike të pavarura.

Me VKM ne kemi përcaktuar të gjitha kriteret, procedurat dhe dokumentacionin edhe për të krijuar një institucion të ri, IAL publik i pavarur i ri , por edhe të gjitha procedurat, kriteret dhe dokumentacionin që duhet për të transformuar një IAL ekzistues që mund të jetë publik apo jopublik, në publik i pavarur.

Dua të theksoj që ky vendim që kemi marrë sot jo vetëm që përmbush kuadrin ligjor, por është në përputhje edhe me Strategjinë Kombëtare të Arsimit, edhe me Strategjinë Kombëtare për Shkencën dhe Inovacionin dhe gjithashtu i jep më shumë fleksibilitet IAL-ve për sa i takon menaxhimit financiar edhe për procesin e mësimdhënies, por po ashtu edhe për procesin e kërkimit shkencor. Gjithashtu dua të theksoj që këto institucione nuk do të kenë qëllim fitimin. Pra do të jenë jo fitimprurëse dhe të gjitha të ardhurat që krijohen nga veprimtaria e tyre do të përdoren për të përmbushur misionin e IAL-ve.

Ndërkohë që e kemi konsultuar këtë vendim, kemi punuar gjatë. E kemi konsultuar edhe me përvojat e vendeve të tjera, edhe me ministritë e tjera: Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, me konferencën e rektorëve dhe kemi marrë sugjerime nga universitetet në Shqipëri, të cilat i kemi reflektuar dhe janë tashmë të gjitha brenda këtij vendimi.

Unë besoj që nëpërmjet këtij vendimi jo vetëm që e plotësuam atë kuadrin ligjor të Arsimit të Lartë, por besoj që ky vendim do të jetë një kontribut për të patur edhe më shumë fleksibilitet, por edhe për të rritur cilësinë e Arsimit të Lartë, dhe për të përmbushur ato prioritete që kemi vendosur.

Ndërkohë, Desha ta shfrytëzoj këtë dalje sot edhe për tu bërë thirrje studentëve, që të aplikojnë për bursa studimi të cilat ne tashmë i kemi shpallur me atë të një thirrjeje të hapur për të gjitha universitetet e vendit. Është fjala për bursat e studimit që janë të barasvlershme me pagën minimale dhe që janë parashikuar për të gjithë ata studentë që plotësojnë tre kriteret kryesore.

Studentet që kanë mbaruar me të gjitha dhjeta shkollën e mesme dhe që gjithashtu në secilin prej provimeve të maturës kanë marrë minimumi 9.5.
Gjithashtu përfitojnë edhe ata që pavarësisht mesatares, kanë arritur të marrin një nga tre çmimet e para në olimpiadat ndërkombëtare, dhe janë pranuar apo regjistruar në programe studimi që lidhen me fushën ku kanë marrë çmimin.

Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, ata studentë të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare dhe që kanë mesataren minimumi 8.5. Pra të gjithë ata që janë regjistruar për programet e mësuesisë, programet e bujqësisë, turizmit dhe gjithë degët që tashmë janë publike. Do t’i ftoja studentët që plotësojnë kriteret të përfitojnë sepse kanë jo vetëm bursa, por gjithashtu edhe përjashtim nga tarifat.

Thirrja është e hapur deri në fund të janarit. Pra kanë kohën e mjaftueshme për të përgatitur dokumentacionin dhe aplikimin. Kemi përcaktuar fundin e janarit sepse deri më 15 janar studentët marrin numrin e matrikullimit, ose zyrtarizohen apo marrin statusin e studentit ndërkohë që institucioni i ri që kemi krijuar, AKFAL (Agjencia për Financimin e Arsimit të Lartë) është institucioni përgjegjës për të hartuar listën e studentëve përfitues që më pas do të miratohet nga ministria. Dhe në fund janë vetë universitetet që do t’i zbatojnë nëpërmjet granti që marrin nga ministria.

Faleminderit