Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

3 muaj më parë ishim këtu, në këtë sallë për të festuar 70 vjetorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 70 vite histori, sfida por edhe arritje. Si Ministre e Arsimit unë ndjehem krenare, ashtu siç besoj edhe ju, që ky 70 vjetor ju gjeti me arritje të reja.

 

Së pari, në kuadër të objektivit tonë të përbashkët të ndërkombëtarizimit, UBT ka bërë progres të konsiderueshëm, ku vlen të përmendet marrëveshja me Universitetin BOKU të Vjenës, por edhe me Universitetin Shtetëror të Michiganit dhe disa universitete të tjera.

 

Unë ju përgëzoj për këto arritje, por sfida është që këto marrëveshje të përkthehen sa më shpejt në programe të përbashkëta apo të dyfishta. E di shume mirë që kjo nuk varet vetëm nga ju, varet edhe nga universitetet partnere, por ju duhet të bëni maksimumin për ta nxitur këtë proces, dhe sa më shpejt studentet tanë të mos kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit për cilësinë më të mirë të arsimit sepse diplomat evropiane mund t’i gjejnë këtu.

 

Së dyti, UBT së shpejti do të ketë një nga kampuset më bashkëkohore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. 8 konvikte të reja me fondet e rindërtimit, ku do të akomodohen 2200 studente, investim 10 milionë dollarë, që do të shërbejë edhe si qendër komunitare me një shumëllojshmëri shërbimesh.

 

Së treti, që lidhet edhe me arsyen pse jemi mbledhur sot, është një tjetër arritje e rëndësishme, hapja apo riorganizimi pas disa vitesh i programeve të doktoraturës. Unë ju falënderoj ju, por edhe universitetet e tjera në vend, që së bashku edhe me ekspertet në MAS arritëm t’i rishikojmë të gjitha procedurat dhe aktet nënligjore, duke hartuar udhëzuesin dhe VKM përkatëse në përshtatje me ligjin e ri të arsimit të lartë.

 

Dhe ju sot jeni të parët që po lançoni ketë program. Urime! Siç keni qenë gjithmonë ndër universitetet me avangard në Shqipëri, sepse diplomat e ILB njiheshin jashtë Shqipërisë edhe në kohën kur Shqipëria ishte totalisht e izoluar nën regjimin komunist. Por sot ambiciet tuaja duhet të jenë shumë më të larta, jo thjesht të njihen diplomat tuaja ne EU, por të jeni një zgjedhje e parë e preferuar për cilësinë nga studentet shqiptare, studentët e rajonit, dhe pse jo edhe më gjerë sesa kaq.

 

E për ta garantuar këtë, vëmendja jone duhet të jetë maksimale të cilësia. Sepse i kemi ende të freskëta në kujtesë skandalet me doktoraturat në sistemin tonë arsimor, ku një profesor udhëhiqte me dhjetëra studente, pa asnjë kriter, asnjë kontroll, e të mos përmendim pastaj pazaret apo rastet me flagrante që e degjeneruan sistemin në atë pikë, sa ishte e pamundur të mos merrnim gjithë kohën e duhur për ta shëruar e rimëkëmbur atë.

 

Dua të theksoj që në këtë pike, ne si ministri do jemi shumë rigoroze, dhe jam besimplotë që njësoj do jeni edhe ju, duke respektuar pike për pikë të gjitha ato kritere, ato standarde që i kemi hartuar e miratuar së bashku.

 

Megjithatë sfida juaj me e madhe si universitet sot nuk është cilësia. E diskutuam së bashku edhe në takimin e fundit, pavarësisht se bujqësia vazhdon të jetë edhe sot një prioritet i pazëvendësueshëm në zhvillimin e vendit, kjo nuk reflektohet në numrin studentëve të regjistruar, sepse bujqësia nuk është më “degë në mode”, sepse të rinjtë sot kërkojnë të punojnë si juristë, mjekë, arkitekt, por jo bujqësi.

 

 

 

Dhe kjo është sfida jonë e përbashkët, ju, ne, Frida, vetë pedagogët, të nxitim tek të rinjtë pasionin dhe vullnetin për këtë sektor kaq të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. E këtë nuk do ta bëjmë vetëm duke rritur ndërgjegjësimin apo promovimin e degëve, por do të përdorim mekanizmat shtesë, si bursat dhe reduktimin e tarifave për studentët që zgjedhin këto programe.

 

Besoj e keni marre Dokumentin e Prioriteteve nëpërmjet Konferencës së Rektorëve që ne kemi hartuar në ministri, i cili përcakton fushat prioritare të zhvillimit të vendit, që do të na ndihmojnë edhe për strukturën e financimit, por edhe orientimin për hapjen e programeve të studimit.

 

Megjithatë, që të mos zgjatem shumë, pavarësisht sfidave të mëdha, edhe një herë dua t’ju përgëzoj për të gjitha arritjet, edhe për punën kërkimore-shkencore, edhe për përshtatje dhe riorientim të plotë drejt zhvillimeve dhe nevojave të tregut të punës, për një bujqësi moderne, për garantimin e ushqimit të shëndetshëm, përdorimin me eficencë të burimeve natyrore, qëndrueshmërinë e ekosistemeve, e të gjitha ato fusha sot janë sfida globale.

 

Ju uroj të gjithëve shumë suksese, veçanërisht studentëve, e veçanërisht studenteve të rinj në programet e reja të doktoraturës.