Ministria e Arsimit dhe Sportit

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Plot 1 vit më parë ishim këtu për të prezantuar Masterin Ekzekutiv në Kriminologji, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili plotësoi një vakum në programet universitare që përgatisin ekspertë në kriminologji, si një vlerë e shtuar për kualifikimin e burimeve njerëzore por edhe hartimin e politikave penale më efikase.

 

Sot mblidhemi përsëri për një tjetër lajm të mirë, programi i studimit të ciklit të dytë Master i Shkencave në Drejtësi Tranzitore, në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, të cilin kisha shumë kënaqësi ta nënshkruaj në shtator të këtij viti, jo vetëm për shkak të respektimit të të gjitha kritereve ligjore dhe standardeve të detyrueshme, por edhe sepse plotëson kërkesën për studime ndërdisiplinare të ciklit të dytë për studentët e shkencave sociale, atyre juridike dhe të shkencave të historisë. Ky master vjen si bashkëpunim në UT i Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakulteti i Histori-Filologjisë, si dhe Fakulteti i Drejtësisë.

 

Përgëzoj njësinë bazë që ofron këtë program studimi, Departamenti i Sociologjisë, i Fakultetit të Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, për punën cilësore në hartimin e këtij programi, dhe kam shumë besim që me të njëjtën cilësi edhe do ta zbatojnë sipas standardeve të kërkuara.

 

Ky program studimi ndërdisplinar vjen në momentin e duhur për shkak të:

  • historisë sonë politike dhe sociale në diktaturë dhe pas saj;
  • tranzicionit të gjatë që ende po kalojmë;
  • zhvillimeve në fushën e së drejtës, politikës, arsimit dhe kulturës në drejtim të drejtësisë tranzitore;
  • si dhe ngritjes së institucioneve të reja që po angazhohen me trajtimin e së kaluarës sonë në diktaturë.

 

Aspekt kryesor i veprimtarisë së këtij programi studimi nuk është vetëm mësimdhënia por edhe puna kërkimore shkencore, me projekte kërkimore empirike nga ana e studentëve. Me interes paraqiten edhe krahasimet mes realitetit vendas me shoqërive të vendeve të tjera që kanë dalë nga regjime autokratike totalitare dhe luftëra.

 

Falënderoj shumë edhe prezencën e OSBE në Shqipëri për kontributin në hartimin e këtij programi dhe ndërtimin e një kurrikule të standardit ndërkombëtar. Jam në dijeni të një sërë diskutimesh dhe bashkëpunimesh mes UT dhe OSBE, duke u angazhuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të personelit akademik, por edhe ngritjen në përgjithësi të kapaciteteve e të institucioneve, si dhe të profesionistëve shqiptarë në fushën e drejtësisë tranzitore.

 

Hapësirat për punësim të studentëve pas përfundimit të masterit kanë një treg të gjerë potencial punësimi:

  • Institucione ndërkombëtare në vend dhe jashtë që trajtojnë çështje të Drejtësisë Tranzitore;
  • Organizata të pavarura në vend si psh: Avokati i Popullit, Qendra për Nisma Ligjore falas, Komiteti Shqiptar i Helsinkit;
  • Institucione kërkimore në fushën e historisë, studimeve të memories, psh. Autoriteti i Dosjeve;
  • Këshilltar politik pranë ministrive të ndryshme;
  • Studiues dhe kërkues i pavarur;
  • Institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera si profesor.

 

MAS do të vazhdojë ta mbështesë këtë master, por edhe të gjitha programet e tjera të UT, qe ofrojnë cilësi dhe i përgjigjen nevojave të shoqërisë sonë për profesioniste të kualifikuar.

Faleminderit dhe suksese!