Ministria e Arsimit dhe Sportit

I nderuar Kryetar i Bashkisë,

Të nderuar mësues, prindër, të ftuar,

Të dashur nxënës,

 

Një nga ngjarjet dhe emocionet më të mëdha në jetën e çdo njeriu është pa dyshim diplomimi. Jemi mësuar të organizojmë ceremoni pas diplomimit në universitet, por po kaq i rëndësishëm është edhe diplomimi në gjimnaz, i cili shënon:

– Kurorëzim me sukses të një cikli, pune, përkushtim e sakrifica të sh. viteve;

– Fillimin e një cikli të ri, rrugëtimi i ri, në universitet.

 

Eksperienca e gjimnazit është ndër më të bukurat në jetë. Do shkoni në universitet sigurisht, master, doktoraturë, por formimin që ju jep gjimnazi, edhe miqësitë që krijoni në gjimnaz janë të paharrueshme, të pazëvendësueshme.

 

E thënë ndryshe, të studiosh në gjimnaz nuk do të thotë vetëm të marrësh njohuritë apo të fitosh kompetenca në të gjitha fushat, por gjimnazi nënkupton edhe miqësitë, kujtimet e bukura, ndjenjat, sukseset, edhe rrëzimet, edhe ri ngritjet. E të gjitha nuk bëhen dot nga larg, nga celulari, bëhen vetëm në mjediset e shkollës, duke u pare në sy e duke shtrënguar duart e njeri-tjetrit.

 

Prandaj dua t’ju përcjell një urim shumë të ngrohte për të gjithë ju, nxënës dhe mësues, për këtë sukses të shumëpritur sot, suksesi i cili këtë herë mbart vlera të rralla pas sfidës së jashtëzakonshme të pandemisë që brezi juaj ka përjetuar. Dua ta shpreh çdo herë që më jepet rasti falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë ju qe treguat durim, këmbëngulje, por edhe përshtatjen në një kohe rekord me kushtet e reja. Pas kësaj sfide globale, të gjithë jemi shumë herë më të përgatitur t’i bëjmë ballë të papriturave apo emergjencave në këtë botë dinamike ku jetojmë.

 

Të dashur të rinj e të reja të sapo diplomuar,

Ky moment i diplomimit përkon edhe me vendimin për studimet e larta, jo vetëm fushën e studimit por edhe universitetin ku do studioni. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që të rinj e të reja, madje shpesh ata që shkëlqejnë me rezultatet e tyre në shkollë, largohen nga vendi për të zgjedhur studimet në universitetet më të mira evropiane.

 

Prandaj ne kemi ndërmarrë disa reforma kohët e fundit që ju të keni mundësi të mira zgjedhjeje edhe këtu:

  • Ndërkombëtarizimi i universiteteve,
  • Degët prioritare dhe mbështetja studentore,
  • Infrastruktura universitare,
  • Përshtatja e programeve me tregun e punës,
  • Përfshirja e studenteve në kërkim shkencor.

 

 

E se fundmi, në lidhje me investimin për shkollën e re. Pres me padurimin inaugurimin e shkollës, sepse është investimi më i madh, më i bukur, me bashkëkohor. Ju vërtetë sot diplomoheni, nuk do t’i shijoni si nxënës keto mjedise të mrekullueshme, por ama e sigurt që do të jeni gjithmonë krenar që keni qenë nxënës tek Sami Frashëri.

 

E se fundi, dua të falënderoj dhe uroj ata që kanë meritë në suksesin tuaj.

  • Mësuesit e mrekullueshëm të Samiut, i gjithë ekipi i shkollës, që kanë punuar plot pasion e profesionalizëm në formimin tuaj.
  • Familjet tuaja, motrat, vëllezërit, prindërit e shtrenjtë që me siguri përloten sot nga gëzimi e krenaria për ju. Urime për fëmijët tuaj!

 

Të mos harrojmë se jetojmë në epokën e të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ju e dini që në Teksas para pak ditësh një vajzë 23 vjeçe dhe gjyshi 88 vjeç u diplomuan bashke në një ditë.

 

Prandaj suksese të gjithëve dhe forca! Kini besim, besim tek aftësitë tuaja, besim tek e ardhmja, besim tek Shqipëria jonë!

 

Faleminderit dhe urime!