Ministria e Arsimit dhe Sportit

Dega e Partisë Demokratike në Lushnje, në një deklaratë pretendon se mësuesit e këtij rrethi janë emëruar nëpërmjet propozimeve të bëra nga deputetë apo anëtarë të maxhorancës qeverisëse.

Akuza në fjalë është një tjetër fabrikim që tenton të hedhë baltë mbi reformat e suksesshme në arsim të ndërmarra nga kjo qeveri. Lista e pretenduar nga Partia Demokratike nuk egziston; ajo mund të prodhohet lehtësisht nga çdo përdorues interneti.

Të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën se si punësohen mësuesit në ciklet e ndryshme arsimore, mund të vizitojnë portalin “Mësues për Shqipërinë” në adresën http://mesues.arsimi.gov.al/ ku do të gjejnë të gjitha kriteret, proçesin konkurrues, rezultatet, vendet e lira të punës dhe listën e pritjes së atyre që dëshirojnë të punësohen. Të gjithë personat e kualifikuar që kërkojnë të punësohen në arsim, marrin pjesë në një konkurs kombëtar dhe më pas punësohen në bazë të meritës dhe renditjes në bazë të konkurrimit. Përveç atyre që janë punësuar tashmë, është krijuar një listë pritje dhe sa herë hapet një vend i ri pune apo lirohet një vend egzistues, mësuesi që punësohet përzgjidhet automatikisht nga lista e pritjes, në bazë të pikëve të marra.

Kjo metodë transparente dhe bazuar tërësisht në meritë nuk lë asnjë hapësirë për të abuzuar me punësimet në sistemin arsimor.