Ministria e Arsimit dhe Sportit

Deklaratë për shtyp e ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Tjetër premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare në fushën e arsimit.

Dy vjet më parë në programin qeverisës të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, premtuam se do të ndihmonim me tekste falas edhe familjet shqiptare me më shumë se dy fëmijë. Konkretisht, një familje me tre fëmijë do të përfitonte falas libra shkollorë për fëmijën e tretë në radhën e shkollimit, sikundër çdo familje shqiptare me katër fëmijë do të përfitonte librat falas për fëmijën e tretë, të katërt e kështu me radhë.

Sot ky premtim konsiderohet i mbajtur falë Vendimit të Këshillit të Ministrave që vë në dispozicion 2.2 milionë euro për të mbështetur me tekste falas edhe më shumë kategori familjesh shqiptare.

Prej këtij fondi përfitojnë edhe fëmijët e komunitetit egjiptian, të cilët njësoj si fëmijët e komunitetit rom do të kenë mundësi të marrin libra falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë.

Të gjithë ata fëmijë që konsiderohen viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit, përfitojnë gjithashtu tekste shkollorë falas. Sikundër, do të përfitojnë tekste shkollore falas edhe ata fëmijë që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti.

Jemi treguar po ashtu të kujdesshëm dhe solidarë me fëmijët e të gjithë punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës dhe në shërbim të komunitetit, në mënyrë që krahas bursës së studimit ato të përfitojnë falas edhe tekstet shkollore për gjithë periudhën e tyre të shkollimit në arsimin bazë.

Ky është një lajm i rëndësishëm në prag të fillimit të vitit të ri arsimor, ku edhe një herë Qeveria Shqiptare tregon se është në krah të familjeve shqiptare për të nxitur një arsimim cilësor të brezave të rinj.