Ministria e Arsimit dhe Sportit

Për mbërritjen në Shqipëri të kampiones së Evropës në atletikë, Luiza Gega sot u organizua një ceremoni në aeroportin “Nënë Tereza”, ku të pranishëm ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët znj. Bora Muzhaqi, Presidenti i KOKSH z. Fidel Ylli, etj.

 

Gjatë fjalës së saj Ministrja Evis Kushi tha se Luiza përfaqëson shumë më tepër sesa një kampione Evrope në atletikë. Ajo është modeli i shkëlqyer jo vetëm në sport por në çdo fushe te jetës. Luiza është modeli që duhet të frymëzojë çdo të ri shqiptar, sepse vetëm me këmbëngulje mund t’ia dalësh.

 

“Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin. Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”- theksoi Ministrja Kushi.

 

Ajo tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.

 

“Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport.

 

Por nga ana tjetër, Kushi theksoi se zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme. Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin.

 

“E dashur Luiza, Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjate punës sime si Ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitët flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit,” –  theksoi ministrja Kushi.

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/367786735395398