Ministria e Arsimit dhe Sportit

Kënaqësi që 70-vjetori i UMT na mblodhi sot të gjithë bashkë, me studentë, pedagogë, mjekë, por edhe shumë të ftuar nga vende të ndryshme të botës, profesorë të nderuar e miq shumë të mirë.

 

Krahasuar me shumë universitete evropiane me moshë qindra vjeçare, universitetet tona kanë një moshë relativisht të re. Këtë vit kemi festuar përvjetorin edhe për UBT, UPT, UT, por unë besoj që në çdo përvjetor nuk ka rëndësi sa vite feston një universitet, rëndësi ka çfarë ka ndodhur në këto vite, sa suksese, sa arritje, sa progres, sa projekte ka në dobi të studentëve dhe zhvillimit të vendit.

 

Dhe kur është fjala për historinë e UMT, ka kaq shumë për të thënë, sepse kontributi i tij është jo vetëm në fushën e arsimit të lartë, për përgatitjen e mjekëve, farmacistëve, infermierëve, por UMT përbën një faktor kyç në zhvillimin e vendit, në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, kërkimit shkencor e inovacionit në fushën e mjekësisë.

 

Pikërisht falë këtyre arritjeve, si dhe rolit aktiv në procesin e ndërkombëtarizimit, sot UMT është ngritur në nivelin e shumë universiteteve prestigjioze evropiane, duke ndërtuar programe të përbashkëta me Bolonjën dhe Pescara. Jam e bindur që jo vetëm programet, por edhe profesorët tanë janë plotësisht të përgatitur e dinjitozë si profesorët e huaj. Madje prej vitesh tashmë ata bashkëpunojnë ngushtë me projekte të përbashkëta e konferenca kërkimore shkencore.

 

Më lejoni të kujtoj që gjatë dy viteve të pandemisë stafi i UMT ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në përballimin e saj. Gjej rastin të falënderoj dhe përgëzoj edhe studentët e UMT të cilët ishin të parët që u vetëofruan si vullnetarë për dhënien e kujdesit shëndetësor për të infektuarit me Covid 19. Madje ata ishin të parët që u vaksinuan, pa asnjë hezitim, dhe u rikthyen në auditorë pas vitit të mësimit online, duke ndërgjegjësuar edhe studentët e universiteteve të tjera për rëndësinë e këtij procesi.

 

E kur flasim për studentët, UMT është më i preferuari nga studentët ekselentë (50% e maturantëve me medalje të arta). Prandaj këtë vit akademik kemi marrë së bashku disa vendime të rëndësishme.

  • Rritëm numrin e kuotave, duke iu përgjigjur edhe kërkesave të maturantëve, por veçanërisht nevojave të tregut për profesionistë në fushën e shëndetësisë;
  • Nënshkruam një marrëveshje me UMT për provimin shtesë të automatizuar pas maturës, për lendet kimi, biologji e fizike, si kriter për pranimin e studentëve në universitet, me qëllim rritjen e mëtejshme të meritokracisë.

 

Por, ndërkohë, një nga sfidat që kemi përpara, dhe që duhet ta shohim drejt në sy, është largimi i mjekeve dhe infermiereve të rinj drejt vendeve të BE, në kërkim të pagave me të larta dhe një jetë më të mirë, por edhe si përgjigje ndaj nevojave që ka tregu evropian për profesionistë. Sigurisht jetojmë në një botë të lirë, ku çdo i ri ka të drejtë të zgjedhë ku të jetojë dhe punojë, por ne i duam të rinjtë këtu, prandaj kemi politika të reja për ta.

 

Përveç rritjes së vazhdueshme të pagave të mjekeve, përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, kemi hartuar edhe politika të reja arsimore. Për shembull maturantët dhe studentët ekselentë do të përjashtohen nga tarifat dhe do të përfitojnë bursa sa paga minimale, por me kushtin që pas diplomimit, mjekët e rinj të jetojnë e punojnë minimumi për 3 vite këtu, të japin kontribut për vendin.

 

Të nderuar pedagogë të UMT,

Dua t’ju përgëzoj edhe ju për nivelin e ri të punës kërkimore shkencore, projektet e kërkim zhvillimit, por edhe ato të infrastrukturës së kërkimit shkencor, të cilat ne si ministri i kemi vlerësuar dhe mbështetur financiarisht me buxhetin e këtij viti. Por pa dyshim ne presim edhe më shumë përpjekje e rezultate në këtë drejtim, prej të gjitha universiteteve, që të aplikojnë më shumë në programet e BE, Horizon Europe, ku potenciali është i madh dhe ku niveli i suksesit të universiteteve tona është rritur ndjeshëm. Këtu ju si UMT jeni një shembull pozitiv, sepse renditeni të parët në përthithjen e fondeve nga programet e BE, ndaj ju nxis dhe ofroj gjithë mbështetjen e MAS.

Së bashku kemi ende edhe shumë sfida të tjera përpara, por unë jam optimiste edhe për faktin që tashmë kemi Komitetin e Përbashkët për Politikat e Arsimit të Larte, në të cilin:

  • trajtojmë dhe i japim zgjidhje së bashku shumë shqetësimeve që lidhen me funksionimin e universiteteve;
  • mbi të gjitha, hartojmë politika dhe vendime të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të larte në Shqipëri.

 

Pikërisht gjate këtyre takimeve vendosëm edhe rritjen e pagave të pedagogeve, ku falënderoj UMT sepse ishte i pari që mori vendim për rritjen 8% të pagës. E ndërkohë, po punojmë së bashku edhe në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit nënligjor, që të mbështesë më shumë proceset zhvilluese universitare.

 

Po e mbyll fjalën time, duke falënderuar të gjithë brezat e pedagogëve e mjekëve që kanë dhënë kontribut për ta çuar përpara këtë universitet dhe sistemin shëndetësor në Shqipëri, me shumë respekt dhe mirënjohje për punën e tyre.

 

E ndërkohë shumë suksese edhe brezit të ri, që natyrisht ka përgjegjësinë e lartë të ruaje dhe forcojë akoma më shumë këto arritje. Dhe ju ftoj që në shembullin e profesorëve tuaj e mjekëve të shquar shqiptarë, të ardhmen tuaj ta projektoni këtu, për ju së pari, por edhe për të kontribuar për Shqipërinë tonë.

Faleminderit!