Ministria e Arsimit dhe Sportit

FJALA E MINISTRES KUSHI NË CEREMONINË KUSHTUAR 50-VJETORIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE

 

Akademia e Shkencave ka qenë një ëndërr shekullore e mendjeve të ndritura të popullit shqiptar. Për herë të parë në Shqipëri fjala “Akademi” u përmend kur u krijua në Voskopojë e ashtuquajtura “Akademia e Re” më vitin 1750, e cila ishte një shkollë e mesme, por që shërbente edhe si një qendër kulturore e mirënjohur brenda dhe jashtë vendit.

 

Më vonë, rilindësi ynë i madh Sami Frashëri në veprën e tij fliste për akademinë dhe universitetin si një ëndërr e vështirë për tu realizuar, por që doemos duhej të kthehej në realitet. Dhe vërtetë, në 10 Tetor 1972, themelimi i Akademisë së Shkencave u bë realitet nga Rrjeti i Institucioneve Kërkimore Shkencore në vend.

Konkretisht 10 institute shkencore dhe 5 qendra studimore kërkimore.

Disa nga fjalët e para të shqiptuara në mbledhjen e parë të asamblesë më 25 janar 1973 nga kryetari i parë i saj Aleks Buda ishin këto:

“Në jetën e popujve ka ngjarje të cilat si gur caku shënojnë rrugën e zhvillimit historik të tyre. Të tillë domethënie ka edhe krijimi i Akademisë së Shkencave. Ç’rrugë të gjatë dhe të mundimshme duhet të kalonte, ç’luftë të madhe e këmbëngulëse u desh që të bënte ky popull i lashtë, për të krijuar e zhvilluar në tokën e vet kulturën e tij kombëtare.”

 

E përgjatë viteve, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se, pavarësisht vështirësive të tranzicionit, e përtej dilemave për pozicionin e saj të ri në shoqëri, Akademia e Shkencave arriti të reformohej dhe sot po përshtatet me trendet e zhvillimit të shoqërisë.

Prandaj, në këtë përvjetor, e jo vetëm sot por çdo ditë, u jemi thellësisht mirënjohës akademikëve shqiptarë nder vite, e veçanërisht kontributit të kryetarëve të kësaj Akademie ndër vite, akademikët Aleks Buda, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Teki Biçoku, Gudar Beqiraj, Muzafer Korkuti dhe sigurisht kryetari aktual Skënder Gjinushi.

Sot Akademia e Shkencave është institucioni më i rëndësishëm për shkencën dhe dijen në vend.

Ku vlen të përmendim disa kongrese e konferenca, të cilat janë dëshmi e konsolidimit të këtij institucioni në fushën e Albanologjisë, Nanoteknologjisë, Bioshkencës, Sizmologjisë madje dhe të pandeminë.

 

Në mënyrë të veçantë, sot dua të theksoj që kjo Akademi nuk e harroi për asnjë moment qendrën tjetër të shqiptarisë në rajon, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me të cilën ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, jo vetëm në organizimin e kuvendeve dhe kongreseve për çështje të cilat janë gurë themeli në historinë e akademizmit shqiptar, por edhe projektet e mëdha të përbashkëta, siç është Historia e Shqiptarëve, Enciklopedia Shqiptare dhe Fjalori i madh i Shqipes.

 

E ndërkohë, Akademia e Shkencave ka nxitur dhe intensifikuar bashkëpunimin me organizata të ndryshme ndërkombëtare duke patur marrëveshje bashkëpunimi me mbi 50 akademi simotra në janë anëtare në federatën më të madhe akademike evropiane ALLEA.

Madje tani po lexoja librin e bituar me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave, ku presidenti i Federatës Evropiane të Akademive të Shkencave dhe Shkencave Humane z. Antonio Loprieno,  thekson punën dhe kontributin e kësaj Akademie. Konkretisht z. Loprieno thekson: Akademia e Shkencave duhet të jetë krenare për arritjet e saj, në promovimin e vlerave thmelore të shkencës, paanshmërinë, racionalitetin, ekselencën shkencore, pavarësinë por edhe dialogun me mbarë shoqërinë.

 

Në cilësinë e Ministres se Arsimit, unë dua të vlerësoj bashkëpunimin aktual me Akademinë e Shkencave. Aktualisht ne po punojmë fort për Ligjin i ri për Shkencën, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin rrënjësor të sistemit të dijes në vend, nisur nga nevoja për t’ju përshtatur sa më mirë sfidave bashkëkohore.

 

Një falënderim shumë të veçantë për Prof. Dr. Skënder Gjinushi për kontributin e tij në reformimin dhe transformimin e këtij institucioni, gjë e cila doli në pah edhe në konferencën e fundit të Nanoteknologjisë që u mbajt këtu në Shqipëri.

 

Shumë faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë!

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/503303021652837