Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në 25-vjetorin e themelimit të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, përcolli një mesazh urimi dhe falënderimi për ata mësues që prej shumë vitesh punojnë me përkushtim për të gjallëruar gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare mes fëmijëve të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, dhe jo vetëm.
Me anë të një video-mesazhi ministrja shpreh mirënjohje për kontributin që këta mësues japin çdo ditë për ruajtjen e gjuhës së bukur shqipe dhe kulturës shqiptare tek fëmijët dhe të rinjtë në diasporë.

MESAZHI I MINISTRES EVIS KUSHI:

Të dashur bashkatdhetarë, mësues dhe nxënës!
Së pari ju përshëndes të gjithëve nga zemra. Do të doja që të ishim bashkë e të festonim 7-marsin, Ditën e Mësuesit, por edhe përvjetorin e 25-të të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë të Greqisë.

Nuk ka gjë më të bukur dhe fisnike, nuk ka gjë më me vlerë se sa tu mësosh gjuhën tonë të bukur shqipe fëmijëve dhe të rinjve që jetojnë jashtë Shqipërie. Ju jeni si ato shqiponjat që sado larg dhe lart të fluturojnë, nuk e harrojnë kurrë folenë e tyre. Shqiptarët nuk i harrojnë trojet e veta. Nuk i harrojnë etërit, të afërmit, nuk harrojnë bukuritë e Shqipërisë, e mbi të gjitha nuk harrojnë kurrë gjuhën shqipe.

Gjuha është një nga pasuritë më të vyera të çdo kombi. E pikërisht për këtë, shpreh një falënderim zemre për të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi, ju që trokisni derë-më-derë në familjet shqiptare për të ndihmuar nxënësit. Për ju që keni kaq shumë vlera për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Për të ruajtur dhe forcuar gjuhën tonë të bukur.

Zoti këtij vendi i ka dhënë shumë begati. Por në fakt kjo begati merr më shumë kuptim bashkë me ju të gjithë. Sepse Shqipëria është mrekullisht e bukur së bashku me shqiptarët.

Shqipëria po ndryshon çdo ditë e më shumë, zhvillohet, bëhet edhe më e bukur, më e admirueshme edhe nga turistët e huaj. Dhe ajo që i duhet këtij vendi jeni ju. Është energjia dhe dashuria juaj.
Duke ju uruar këtë 25-vjetor të themelimit të Lidhjes së Mësuesve, ju përshëndes të gjithëve me shumë respekt.

Faleminderit që jeni kaq të përkushtuar. Faleminderit që vazhdoni të na bëni krenarë!

Gëzuar 7 Marsin dhe përqafime!

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/2149196641936737