Ministry of Education and Sports

Zonja Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit i përgjigjet maturantëve për çështjet e trajtuara në letrën e tyre

 

Të dashur maturantë, 

Shqetësimi juaj është krejt i natyrshëm, por ju siguroj që asgjë nuk do të mbetet e paqartë për ju në ditët në vijim.
Megjithatë, po ju sqaroj më poshtë për të gjitha pikat që ju keni ngritur në letrën tuaj:

1.    Është e vërtetë që Matura Shtetërore, ashtu siç premtuam, referuar ligjit të ri për arsimin e lartë nuk do konsiderohet si një provim hyrës në institucionet e arsimit të lartë, por si një provim dalës. Megjithatë, këto provime, janë pjesë e programit të studimit të Maturës Shtetërore (MSH) dhe si të tilla edhe pjesë e përllogaritjes së mesatares së notave të të gjithë ciklit tuaj të studimit. 
Bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë, kriteret për hyrjen në një Institucion të Arsimit të Lartë, tashmë,  i vendosin vetë Institucionet e Arsimit të Lartë. Për sa kohë numri më i madh i këtyre institucioneve  kanë vlerësuar se do të  marrin për bazë, si një ndër kriteret hyrëse notën mesatare, natyrshëm që edhe provimet me zgjedhje, si pjesë përbërëse e notës mesatare, do kenë rëndësinë e tyre.  Ndaj, ashtu siç dhe kemi sugjeruar, ju duhet të keni bërë zgjedhjen e atyre  lëndëve në të cilat ndjeheni më mirë dhe që ju garantojnë një rezultat më të lartë në notën mesatare.

2.    Lëndët me zgjedhje të zhvilluara  gjatë tri viteve të fundit, kanë të njëjtën rëndësi siç kanë të gjitha lëndët e tjera në përllogaritjen e notës mesatare. Nga kriteret e ardhura nga Institucionet e Arsimit të Lartë, nuk rezulton që do ketë formulë për llogaritjen me koeficent të notës së lëndëve me zgjedhje. 

3.    Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nuk ka kriter apo koeficent diferencues në mes shkollave, por nuk përjashtohet mundësia që vetë Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), në varësi të politikave të tyre për rekrutimin e studentëve dhe specifikave të programeve të studimit, të bëjnë diferencime në mes shkollave të ndryshme. Kriteret e vendosura nga IAL-të, janë bërë  publike në faqet e tyre të web-it.

4.    Të gjithë kandidatët për ndjekjen e studimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, në programet e ciklit të parë, atyre të integruara dhe programet profesionale, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online. Kandidatët në momentin e aplikimit me formularin e aplikimit do të zgjedhin 10 (dhjetë) programet e studimit, në të cilat dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Të dhënat personale të çdo maturanti në lidhje me rezultatet e tri viteve të studimit dhe të provimeve të Maturës Shtetërore do t’i dërgohen secilës prej IAL-ve ku ju keni zgjedhur programin e studimit. IAL-të do të kryejnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues në bazë të këtyre  të dhënave. 
Kandidatët që kanë notë mesatarë më të ulët se 6 ( gjashtë ) kanë të drejtë të vijojnë studimet e tyre vetëm në programet e larta dyvjeçare.

5.    Të gjithë maturantët, të cilët për provimet me zgjedhje të MSH-së 2016, kanë zgjedhur gjuhën e huaj Anglisht, këtë vit do t’i nënshtrohen provimit TOEFL Junior Standard Test, në nivelin B2 CEFR. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet Education Testing Service Global BV dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, testi i provimit me zgjedhje të gjuhës së huaj Anglisht, “TOEFL Junior Standard Test”, do të hartohet dhe do të vlerësohet nga ETS Global. Gjatë të tri viteve të shkollës së mesme, të gjithë maturantët që kanë studiuar anglisht në shkollë, e kanë zhvilluar këtë lëndë në nivelin B2.Testi që ata do t’i nënshtrohen, përputhet pikërisht me këtë nivel njohurish dhe aftësish që ata i kanë fituar në shkollën e mesme. Lidhur me  pjesën e seksionit “Listening”, informojmë se do të ofrohen të gjitha kushtet për sigurimin e një cilësie të lartë në zhvillimin e këtij provimi. Agjencia Kombëtare e Provimeve, do të marrë të gjitha masat për të verifikuar dhe garantuar që mjediset ku do të zhvillohet ky provim dhe veçanërisht pajisjet audio, të jenë në standardin e duhur. Ky provim u krijon mundësinë maturantëve pjesëmarrës të pajisen me një dëshmi të njohur ndërkombëtarisht, duke sjellë jo vetëm një standard të ri vlerësimi, por edhe një përfitim ekonomik  për ta dhe familjet e tyre. 

6.    Lidhur me parashikimin në Rregulloren e MSH–së 2016 se, nuk ka proces të rivlerësimit të testit, kusht i vendosur që prej vitit 2009, ju informojmë se në rregullore parashikohen garancitë e mëposhtme për të siguruar një vlerësim të saktë:
Vlerësimi kryhet nga mësues të certifikuar. Çdo vlerësues firmos në testin që vlerëson dhe mban përgjegjësi për vlerësimin që bën. Për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm në rregullore është parashikuar që çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë,  pra vlerësohet  nga dy vlerësues të pavarur nga njëri- tjetri. Rakordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve të pavarur, bëhet në fund të çdo dite vlerësimi edhe  nga një vlerësues i tretë. Pra vlerësimi kalon nëpër një filtër të trefishtë. Kjo bëhet me qëllim për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm “njerëzor”.
 Në rastet kur ka gabime në pyetjet me alternativa apo gabime të tjera teknike, nga AKP-ja, pranohet korrigjimi i tyre. Ju keni të drejtën që të kërkoni kopjen e testit të vlerësuar dhe të ndiqni të gjitha shkallët e ankimimit  administrativ.

Duke ju falënderuar për mundësinë që ju më dhatë për t’ju sqaruar nëpërmjet këtij komunikimi, që është edhe në ndihmë të të gjithë maturantëve, ju uroj suksese në  përfundimin  e  Maturës Shtetërore. Ju siguroj po ashtu se do të vijojmë me standardin e lartë të administrimit dhe transparencës së këtyre provimeve.

 

Përqafime,
Lindita