Ministry of Education and Sports

Zhvillimi profesional i mësuesve nga Lugina e Preshevës

Për herë të parë,  nga Ministria e Arsimit dhe Sportit u organizua në Durrës,  më datat 25-26 mars 2017, trajnimi profesional i rreth 90 mësuesve nga Lugina e Preshevës në fushat e gjuhës shqipe, historisë, trashëgimisë kulturore dhe arteve.

Tema si “Gjuha shqipe, rëndësia, metodologji të mësimdhënies”, “Edukimi për trashëgiminë në kurrikulën e arsimit parauniversitar”, “Të lexuarit, çelës për suksesin e nxënësit në shkollë dhe në jetë”, etj, u shtjelluan për pjesëmarrësit nga emra të njohur të fushës si Prof.Dr. Mimoza Gjokutaj, Prof. Dr.Fatmira Rama, ekspertët e Izha-s  Albana Markja, Majlinda Halaj, Ines Todhe dhe Erida Koleci.

Gjithashtu, këta mësues patën mundësinë të ndajnë me kolegë të tyre në Shqipëri përvojat dhe eksperiencat si dhe sfidat me të cilat ndeshen ata në punën e përditëshme.

Pjesmarrësit në trajnim u përshëndetën nga drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si dhe të institucioneve të varësise.

Z.Agim Leka, Këshilltar në MAS, në fjalën e tij përcolli urimet e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla si dhe shprehu mbështetjen për mësuesit e Luginës së Preshevës, mbeshtetur në nevojat e tyre.

“Falë jush dhe kontributit tuaj, fëmijët e trojeve shqiptare mësojnë identitetin e origjinës së tyre, gjuhën shqipe, gjeografinë, historinë, traditat tona zakonore. Ju falënderojmë për praninë tuaj, shprehim mirënjohje dhe respekt për përkushtimin në punën tuaj. Jemi të hapur ndaj bashkëpunimeve për të siguruar cilësi, profesionalizëm në institucionet arsimore të Luginës së Preshevës”.

Z.Gerti Janaqi, drejtor i IZHA-s, në fjalën e tij solli në vemendje  nismat e ndërmarra nga  MAS për organizimin e disa seminareve për mësuesit shqiptarë në diasporë dhe u shpreh besimplotë se edhe ky aktivitet ndikon në ngritjen dhe zhvillimin  profesional të mësuesve të Luginës së Preshevës, duke  synuar rritjen e cilësisë arsimore në komunat shqiptare në Serbi  dhe ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.

 Z. Agim Hasani, drejtor i qendrës arsimore në komunën e Bujanocit,  koordinator për aktivitetin, në fjalën e tij, falenderoi  shtetin shqiptar dhe vecanërisht ministren e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla, që mundësuan  për herë të parë organizimin e këtij trajnimi për mësuesit shqiptarë nga Komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Ky seminar ka efektin e tij, në ngritjen professionale të këtyre mësuesve, tha z.Hasani, duke e cilësuar aktivitetin “100% të suksesshëm”. Kemi nevojë që trajnime të tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen, theksoi  ai.

Në përfundim të trajnimit mësuesit plotësuan edhe një pyetsor, ku një zëri shprehën mirënjohje dhe vlerësime për aktivitetin si dhe sugjeruan zhvillimin e aktiviteteve të tilla edhe  në të ardhmen, trajnime interaktive dhe praktike, te shoqeruara me vizita në shkollat shqiptare.  Mësuesit e Luginës së Preshevës u pajisën me  certifikata nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Organizimi dhe zhvillimi i ketij aktiviteti erdhi pas nje takimi që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj.Lindita Nikolla, zhvilloi në shkurt të këtij viti në Tiranë me deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës, në Parlamentin e Serbisë, z.Fatmir Hasani.