Ministry of Education and Sports

Vlerësimi fiktiv i nxënësve, një shprehi e analfabetizmit funksional

Në vijim të monitorimeve të shërbimeve dhe nevojës për të parë në vend problematikat, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla zhvilloi sot një inspektim të palajmëruar në Shkollën e Mesme Profesionale “Enver Qiraxhi” në qytetin e Pogradecit.

Nisur nga konstatimet paraprake, Ministrja Nikolla së bashku me stafin e saj u gjend e befasuar përballë shkeljeve të rënda në procesin mësimor. Gjatë inspektimit në disa prej klasave të shkollës, Ministrja Nikolla konstatoi  numër shumë  të vogël nxënësish, krahasuar me  deklarimin zyrtar në regjistrat e shkollës. Në të njëjtën kohë u vu re se ndërsa në  shumë prej klasave kishte më pak se dhjetë nxënës, në regjistër nuk reflektoheshin mungesat nga mësuesit  lëndës përkatëse.

E befasuar nga ky fakt abuziv, ministrja Nikolla shprehu keqardhjen për gjendjen në të cilën shkolla gjendet si pasojë e abuzimeve të trashëguara. Znj.Nikolla u angazhua që çdo shkelje do të përballet me organet e drejtësisë, pasi është e patolerueshme që korrupsioni dhe shkeljet e rënda në arsim të kalbin sistemin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Sipas raportit të para pak ditëve të Zyrës Arsimore të Pogradecit, në një inspektim të kryer në shkollën “Enver Qiraxhi” del se nga 252 nxënës të regjistruar në shkollë, janë gjendur në shkollë vetëm 51. Ndërsa në sistemin me shkëputje nga puna kishte 428 nxënës të regjistruar, por realisht gjendeshin nëpër klasa vetëm 64. Erdha vetë të shikoj realitetin në vend dhe sinqerisht më besoni se erdha duke menduar që ka qenë thjesht një ditë, por nuk paska qenë thjesht një ditë, kjo është një histori që ka zgjatur me vite. Dokumentacioni e dëshmon këtë, nxënësit vetë e dëshmuan këtë, realiteti që unë pashë  e dëshmon këtë. Ky është analfabetizmi funksional, nxënës që vlerësohen duke qenë thjesht fiktivisht në regjistrat e shkollave, por që realisht nuk marrin shërbimin që vjen përmes shkollës dhe përmes arsimit. Lejomëni t’ju bëjë me dije që jemi këtu në një shkollë kombëtare cila  merr fonde të posaçme për këtë shërbim që është në ndihmë  të arsimit profesional në lëndë të caktuara. Ne na rezulton që gjithçka është e pavërtetë, gjithçka është një gënjeshtër. Janë dhënë diploma, janë bërë testime. Ne do të marrim gjithë situatën në kontroll për të identifikuar problemin, për të çuar përpara drejtësisë njerëzit që kanë krijuar këtë katrahurë me synim fillimin e  një epoke të re në këtë shkollë, ashtu si në çdo shkollë tjetër të Shqipërisë.” – u shpreh Ministrja Nikolla.

Në përfundim të inspektimit, Ministrja Nikolla urdhëroi ndjekjen e gjitha shkeljeve të konstatuara nga një grup i posaçëm inspektimi me specialistë të strukturave të MAS-it, i cili do  mbledh provat dhe nxjerr konkluzionet  që do të bëjnë të mundur evidentimin e shkallës së abuzimit, personat përgjegjës dhe dëmin financiar të shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit.