Ministry of Education and Sports

Vizioni ynë, gjallërimi dhe rijetësimi i jetës sportive në shkolla

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, gjatë inspektimit të institucioneve arsimore në qytetin e Vlorës mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga shkolla 9-vjeçare “Lef Sallata” në kuadër të Javës Olimpike. Ministrja e Arsimit dhe Sportit vlerësoi maksimalisht angazhimin e shkollës drejt zhvillimit të kulturës sportive në brezat e rinj. “Është pikërisht ky shembulli i vullnetit tonë për të ndërtuar një sistem shkollor, ku sporti të jetë një pjesë po aq e rëndësishme në formimin e kulturës dhe të personalitetit të të rinjve, ashtu sikur arsimi dhe edukimi i tyre. Është pikërisht gjallërimi dhe rijetësimi i jetës sportive në të gjitha shkollat e vendit, një nga vizionet tona për sportin”, deklaroi znj. Lindita Nikolla përpara nxënësve pjesëmarrës në lojërat sportive.

Duke u ndalur më tej tek projekti ambicioz i Ministrisë së Arsimit “Shkollat si Qendra komunitare”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit theksoi se kjo nismë aq shumë e rëndësishme synon hapjen e shkollës ndaj komunitetit, kthimin e saj në një ambient familjar për nxënësit, prindërit dhe mësuesit. “Një angazhim që ka për qëllim aktivizimin e aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive pas përfundimit të mësimit. Është ky gjithashtu një objektiv në kuadër të rritjes së cilësisë dhe demokratizimit të shkollës, por nga ana tjetër dhe nevoja për ndërhyrje emergjente në gjëndjen alarmante të disa shkollave në vend. Edhe pse biem dakord se situata buxhetore në vend nuk është në favorin tonë, ne besojmë se ku ka vullnet ka edhe zgjidhje. Ne jemi angazhuar për të lobuar tek partneret tanë ndërkombëtarë dhe donatorët e fushës së arsimit që së bashku të mund të bëjmë që objektivat tonë shumë shpejt të kthehen në realitete të prekshme për të gjithë. Shembulli konkret është se idesë sonë për “Shkolla si Qendër komunitare” iu përgjigjën një numër i madh partnerësh të huaj, duke jetësuar modelin e shkollës së hapur ndaj komunitetit, shkollë që formon dhe edukon qytetarinë europiane”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla.

Më pas, Ministrja Nikolla së bashku me stafin dhe mësuesit e shkollës inspektoi ambientet e kësaj shkolle. Kjo, jo vetëm për t’u njohur me rezultatet dhe arritjet, por edhe për të dëgjuar problematikat, sugjerimet dhe nevojat që arsimi dhe kushtet në shkolla kërkojnë për t’u orientuar drejt cilësisë së mirë dhe standardeve europiane.