Ministry of Education and Sports

Urimi i Ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla për studentët në mbarë vendin

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla uroi studentët në ditën e fillimit të vitit të ri akademik 2013-2014. Ceremonia u zhvillua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës ku të pranishëm ishin Rektori, dekani, pedagogë dhe studentë të këtij institucioni universitar.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë fjalës përshëndetëse u shpreh e emocionuar që ndante me studentët urimin e fillimvitit akademik. Znj.Nikolla i dha studentëve mesazhin e qartë të qeverisë se re për përfshirjen e gjeneratës së re në formimin e shtetit shqiptar dinjitoz dhe vizionar. "Ne presim shumë prej jush, prej gjeneratës tjetër të shqiptarëve, gjeneratës së ekonomistëve e të financierëve të rinj. Një bashkëpunim midis gjeneratash do të mundësojë kapërcimin e sfidave të mëdha që vendi ka përpara", u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Më pas në fjalën e saj Znj. Nikolla u ndal tek lufta kundër korrupsionit si prioritet i qeverisë, ku brezi i gjeneratës së re do të luaj një rol deçiziv. "Duke mbështetur të rinjtë e talentuar, të shkolluar dhe  të angazhuar për t’i shërbyer shtetit, qeveria i ka shpallur luftë korrupsionit dhe paaftësisë qeverisëse padyshim. Të dyja bashkë janë armiqtë  e zhvillimit. Në këtë pikë mesazhi ynë është i qartë. Mosha e re nuk është arsye për të mos investuar besim tek të rinjtë, përkundrazi të rinjtë janë burimi kryesor i besimit" u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Një tjetër pikë e rëndësishmë ku u ndal Znj.Nikolla ishte çlirimi i auditorëve nga presioni dhe censura politike, një proces që tashmë ka nisur dhe ajo vetë do të mbetet e vendosur për realizimin e këtij objektivi. "Epoka pa censurë dhe pa nënshtrim politik i auditorëve studentorë sapo ka filluar. Nga sot, në çdo universitet, jashtë orëve të mësimit mund të bëhen lirisht bashkëbisedime edhe me politikanë e përfaqësues të opozitës, përveç se me përfaqësues të qeverisë. Asnjë fakultet, dekanat apo rektorat nuk do të vendoset nën presion apo penalizohet pse një përfaqësues i opozitës hyn në sallën e takimeve për të komunikuar me studentët që dëshirojnë ti dëgjojnë. Asnjë student nuk do të diskriminohet për bindjet e tij politike apo pjesëmarrje në takime të opozitës. Shkolla është e depolitizuar dhe kjo trajtë e saj do të mbrohet me fanatizëm" – u shpreh Znj Nikolla.

Ministrja e Arsmimit dhe Sportit Znj.Lindita Nikolla shprehu bindjen e saj personale por edhe të qeverisë së kryesuar nga Edi Rama se çlirimi i hapesirave publike pranë institucioneve arsimore do të mbetet prioritet kryesor. "Arsimimi është politika më e mirë ekonomike. Të shpresojmë që gjykata do ta dëgjoje zërin tonë. Unë ju premtoj, se nëse gjykata  nuk do të na pengojë, ne do ta çlirojmë mjedisin e fakultetit ekonomik nga prania e padëshiruar e këtij ndërtimi të pa vend", pëfundoi fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit.