Ministry of Education and Sports

Urimi i Ministres për ditën e parë të vitit të ri shkollor

Sot në ditën e parë të shkollës Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, së bashku me Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro vizituan Liceun Artisik “Jordan Misja” në Tiranë, për të parë nga afër fillimin e vitit të ri arsimor dhe për t’i uruar nxënësve fillimin e shkollës.

"Zgjodhëm të vijmë jo pa arsye këtu, në liceun "Jordan Misja", pasi që sot do të fillojë një përqasje tjetër ndaj arsimit në përgjithësi dhe arsimit kulturor veçanërisht. Do të sigurohemi që këta talente jo vetëm të marrin aftësimin më të mirë të mundshëm në shkollë, por dhe të bëhen protagonist të shpërndarjes së kulturës në çdo shkollë në vend.

Për mua është një ditë e veçantë dhe një privilegj i madh, që dita e parë e vitit shkollor përkoi me ditën e parë të punës së qeverisë. Ky është një ogur i mirë për qeverinë, e cila synon të bëhet qeveria e dijes, duke investuar gjithë energjitë, vizionin dhe financat që do të duhen për ta rilindur arsimin shqiptar" – tha ministrja Nikolla.

Znj. Nikolla, pasi mbërriti në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kërkoi të informohej menjëherë mbi mbarëvajtjen dhe problematikat e fillimit të vitit të ri shkollorë në mbarë vendin. Në vazhdën e kësaj pune ministrja priti një grup prindërish të nxënësve të shkollës "Hasan Tahsini", për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre në lidhje me gjendjen dhe problematikën në këtë shkollë.  

Gjatë mesditës, znj.Nikolla priti në një takim këshilltarët e Ministrit të Arsimit të Republikës së Kosovës z.Ramë Buja, për të filluar menjëherë bashkërendimin e planit të masave të dakorduara në vizitën e Kryeministrit në Kosovë javën e shkuar.