Ministry of Education and Sports

URIMI I MINISTRES LINDITA NIKOLLA PËR  VITIN E RI SHKOLLOR

Të dashur nxënës dhe mësues!

Të dashur prindër!

Nesër fillon viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, ndaj në emër të MAS-it dhe të Qeverisë, ju përshëndes dhe dërgoj pranë jush urimet më të ngrohta.

E di që po i jepni “dorën e fundit”, siç thuhet, përgatitjeve për të nesërmin në mëngjes, por lejomëni të ndaj me ju emocionet e mia në një moment si ky, emocione të një mësueseje, të një nënë dhe të një bashkëqytetare.

Më një emocion të veçantë ju drejtohem juve, 32 mijë vogëlushëve dhe prindërve tuaj. Ju që nesër nisni një jetë të re, jëtën shkollore në klasën e parë me urimet më të mira, por dhe me garancinë se rruga e dijes do të jetë e sigur, do të jetë çdo ditë e më shumë e përafruar me atë të bashkëmoshatarëve tuaj në çdo vend tjetër të përparuar.

Viti shkollor 2014-2015 është një vit i veçantë, i cili përkon me fillimin e një sërë reformash që do të prekin sistemin arsimor në tërësinë e tij.

Pikërisht për këtë arsye, unë shpreh mbështetjen si ministre e Arsimit dhe Sportit për ju të dashur 35 mijë mësues dhe njëherazi,  bindjen e patundur se arsimi dhe edukimi janë çështjet kryesore ku ne do të vazhdojmë të fokusohemi.

Roli juaj të dashur mësues është jetik në realizimin e objektivave reformuese! Ndaj dhe mbështetja jonë në drejtim të forcimit dhe mbrojtjes të dinjitetit të mësuesit do të jetë parësore. Mësuesi është shkolla dhe shkolla ka në duar fëmijët, dritën e syve të çdo prindi dhe  të ardhmen e shoqërisë sonë.

Bashkarisht ja dolëm të reformojmë kurrikulën, bazuar në arritjet dhe përvojat më të mira europiane.

Ja dolëm të riorganizojmë të gjithë strukturën e administrimit dhe të menaxhimit të sistemit.

Ja dolëm të ndërhyjmë fuqimisht për ta kthyer Maturën Shtetërore në një vlerësim të besueshëm dhe të sigurt të nivelit të formimit të nxënësve.

Të dashur nxënës, flas me secilin prej jush 540 mijë nxënësit që nesër do t’i drejtoheni shkollës.

Ne po punojmë për ndërtimin e shkollës që përgatit qytetarë për “shoqërinë e dijes”, që ju përgatit ju për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, si të barabartë me bashkëkohësit tuaj, kudo ku ata ndodhen.

Reforma e kurrikulës që bazohet në kompetenca me fokus reformimin thelbësor të teksteve dhe të mjeteve shkollore; zgjerimi i përmasave të dixhitalizimit të procesit të nxënies, shkolla si qendër komunitare, karta e performancës së shkollës, përmasa e re e edukimit fizik dhe shëndetësor të fëmijëve etj, janë hapa me të cilët po ndërtojmë një shkollë ku kryefjala është cilësia.

Kam dëshirë të përsëris një falenderim dhe një ftesë për prindërit, si hallkë e domosdoshme për suksesin e përbashkët.

Të dashur prindër, tashmë me kuadrin e ri normativ, ju keni një rol vendimtar në administrimin e shkollës shqiptare.

Përfshirja juaj është domosdoshmëri dhe ne jemi të vendosur ta forcojmë aktivizimin tuaj në jetën e shkollës. Kjo sepse shkolla na përket të gjithëve, shkolla është e komunitetit.

Angazhohem se ne do të jemi në krah për t’u përballur e për të zgjidhur bashkarisht me ju çdo problem që prek cilësinë e arsimimit të fëmijëve tanë, në një aleancë të re: mësues-nxënës-prindër dhe shkollë-komunitet.

Nuk do ta mbyllim shkollën. Ajo do të jetë e hapur edhe pasdite. Mësuesit do të jenë aty, jo më si  mësues jashtë profilit, jo më për kurse private, por mbi kokën e çdo nxenësi si një mik i mirë e profesionist.

Shkollat do të jenë të hapura për të ndihmuar po aq sa edhe për të zhvilluar talentin dhe energjitë e nxënësve përmes aktiviteteve kulturore e sportive si dhe nismave komunitare.

Ndaj të dashur prindër, bëhuni pjesë e shkollave qendër komunitare.

Monitoroni me sytë e mendjes dhe zemrës punën tonë. Ne do të punojmë fort në rrugën e cilësisë në çdo shkollë duke e bërë standart transparencën e punës së çdo mësuesi e çdo shkolle përmes komunikimit me shkrim e në rrugë dixitale.

Edhe një herë, urimet e mia më të mira dhe punë të mbarë të gjithëve! Do jem me ju në çdo orë e çdo ditë të jëtës së shkollës.

Suksese nga zemra!

Faleminderit!

 

Video