Ministry of Education and Sports

“Unë ricikloj”: Edukim jetësor për mjedisin në shkolla dhe kopshte

Fushata “Unë ricikloj” është një nismë mjedisore, e cila  synon të motivojë komunitetin, nxënësit e shkollave dhe fëmijët e kopshteve për një mjedis sa më të qëndrueshëm, me më pak mbeturina. Kjo nismë synon të ofrojë një program kryesisht edukativ të riciklimit, përmes edukimit të mësuesve dhe nxënësve, por duke ofruar modele konkrete e të prekshme nëpërmjet këndeve të riciklimit në kopshte dhe shkolla. 

Ministria e Arsimit dhe Sportit, së bashku me Ekovolis & Unë Ricikloj, ka bërë të mundur që kësaj nisme t’i bashkohen 10 (dhjetë) shkolla dhe 5 (pesë) kopshte në qytetin e Tiranës. Ndërkohë është planifikuar që kjo nismë të shtrihet më gjerë në çdo shkollë dhe kopsht të Tiranës e të qyteteve të tjera, duke e bërë këtë nismë pjesë të risisë së shkollës ekologjike, brenda kuadrit të projektit të MAS-it “Shkolla si Qendër Komunitare”. Një fushatë e gjerë është ndërmarrë edhe në rrjetet sociale, nëpërmjet faqes Eko Kopshtet dhe Unë Ricikloj, për edukimin mjedisor, qysh në fëmijëri e më tej në shkollë.
 
Reforma që Ministria e Arsimit dhe Sportit po ndërmerr në sistemin parauniversitar, do të jetësojë kalimin nga kurrikula e tanishme, që bazohet në logjikën e lëndës, tek kurrikula që bazohet në logjikën e kompetencave. Një nga fushat e kompetencave, sipas modelit të ri kurrikular është dhe kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.