Ministry of Education and Sports

"Unë mësoj", tableta për femijët që nuk dëgjojnë

Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito prezantoi fillimin e projektit "I Learn / Unë mësoj", i cili ka si objektiv pajisjen me tableta dhe ofrimin e një platforme dixhitale për fëmijët që nuk dëgjojnë, duke kontribuar në integrimin e tyre tërësor në shoqëri.

Ministria e Arsimit dhe Sportit mbështet këtë projekt përmes zhvillimit të kurrikulave specifike për nxënësit në nevojë.

Procesi i mësimdhënies për fëmijët nuk dëgjojnë do të lehtësohet nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje pilot, duke mundësuar lehtësimin e procesit të mësimdhënies përmes një programi të personalizuar posaçërisht për ta në 450 tabletat të cilat do t`u vihen në dispozicion.

E pranishme në prezantimin e këtij projekti, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se edukimi i fëmijëve që nuk dëgjojnë është një prej sfidave të MAS dhe të Qeverisë shqiptare, e cila ka vendosur objektiva të qarta në drejtim edhe të zhvillimit të një kurrikule të re, e cila indukton të gjithë nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë me aftësitë e tregut të punës.

“Një program kompjuterik i specializuar do të zhvillohet për të siguruar komunikimin nëpërmjet gjuhës së shenjave, program i cili do të ndikojë pozitivisht në shmangien e disa vështirësive siç është vështirësia e të shpjeguarit nga ana e mësuesve si dhe komunikimi interaktiv mes tyre dhe nxënësve të tjerë pa probleme dëgjimi”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se platforma e-learning, do të integrojë alfabetin multimedial daktilografik dhe fjalorin e gjuhës së shenjave, të plotësuar edhe me përkthimin përkatës në gjuhën e folur.

Ministrja Harito tha se me anë të këtij projekti dhe teknologjisë inovative, ofrohen mundësitë e munguara për fëmijët me probleme dëgjimi, për të mësuar dhe komunikuar ndërmjet njëri-tjetrit duke garantuar të drejtën e informimit për të gjithë.

Platforma do të përfshijë gjithashtu programe, leksione për përdorimin e gjuhës së shenjave, si dhe ushtrime të posaçme për këta nxënës.  

Aplikacionet e zhvilluara do të ketë një ndikim shumë pozitiv në të kuptuarit e termave të reja dhe konceptet për fëmijët me probleme dëgjimi. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e integrimit të tyre në jetën e përditshme. Përfitues të këtij projekti do të jenë fëmijët me probleme dëgjimi, të cilat frekuentojnë institutin, ose fëmijë me probleme dëgjimi që janë të integruar në klasa normale.

Projekti "I Learn/Unë mësoj", financohet nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA, në bashkëpunim edhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe organizatën italiane CESTAS.