Ministry of Education and Sports

"Unë e refuzoj korrupsionin"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi ishin të pranishëm në aktivitetin e gjimnazistëve të Elbasanit, “Unë refuzoj korrupsionin”.

Nxënësit e tre shkollave të mesme të Elbasanit, “Ahmet Dakli”, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Vasil Kamami” prezantuan punimet e tyre në stenda si dhe interpretuan disa skeçe artistike me në fokus antikorrupsionin.

 

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla u zotua për të refuzuar korrupsionit dhe i ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit e prindërit që së bashku, duke refuzuar e denoncuar çdo rast ta fitojnë betejën e nisur me korrupsionin.

 

Ministrja Nikolla ndau me të pranishmit një denoncim të nxënësve të gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, bërë në portalin www.stopkorrupsionit.al , pas të cilit një inspektim i menjëhershëm u zhvillua në shkollë dhe ndryshoi gjithë situatën.

 

“Ju e keni filluar tashmë betejën tuaj me korrupsionin. Ndaj dhe unë nuk hezitova të dal nga zyra e të vija vetë në shkollën tuaj për të parë nga afër situatën e raportuar prej jush. Menjëherë më pas zhvilluam një anketim gjithëpërfshirës për të evidentuar rastet që mësuesit, në kundërshtim me kodin e etikës, zhvillonin mësim në klasat ku mësonin fëmijët e tyre”, tha Nikolla duke i ftuar nxënësit të vazhdojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi.

 

Nga të gjitha rastet e raportuara në portalin www.stopkorrupsionit.al Ministria e Arsimit dhe Sportit numëron 1183 raste denoncimi, nga të cilat kanë marrë zgjidhje 719 raste, pra, 61 % e tyre.

 

Janë refuzuar 164 raste (14% e tyre), si pasojë e mungesës së informacionit të mjaftueshëm për të kryer verifikimet specifike, apo kur rastet janë përsëritur më shumë se një herë, ndërkohë që për shqyrtim është marrë vetëm një rast. Ndërkohë  janë në shqyrtim dhe 300 raste, e thënë në përqindje, 25% e tyre.