Ministry of Education and Sports

T`u shërbejmë fëmijëve tanë, ashtu siç ata e meritojnë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, nisi ditën e martë një seri inspektimesh në qarqe dhe rrethe të vendit në kopshte, shkolla dhe gjimnaze, inspektime që kanë qëllim në vetvete, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut dhe fëmijeve, nxënësve dhe gjimnazistëve. Kjo nismë institucionale dhe personale e Ministres së Arsimit dhe Sportit synon vëzhgimin  nga afër të gjendjes së kopshteve dhe shkollave, cilësinë e mësimdhënies dhe shërbimet që u jepen të rinjve të vendit tonë në sektorin e arsimit. Në këtë kuadër, sot Ministrja Nikolla ishte e pranishme në kopshtin Nr. 9 në qytetin e Vlorës, nga ku nisi edhe këtë maratonë inspektimesh. Ministrja dëgjoi problematikat e shprehura nga aktorët kryesore të këtij sektori, të cilët janë fëmijët dhe nxënësit. Më poshtë gjeni të plotë prononcimin e Ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla.
 
“Sot mësova shumë gjëra nga vizita ime në këtë kopsht kaq të bukur. Mësova sesi fëmijët kishin njohuri mbi rregullat elementarë të qarkullimit rrugor, sesi punonin dhe vizatonin vijat e bardha, rregullat e sinjalistikës vertikale dhe të ndriçuar, më treguan bukur historinë e farës së grurit. Pashë sesa me pasion edukatoret e tyre punonin në një kopsht të pastër dhe të dashur për vogëlushët. Ndahem, jo vetëm me përshtypjet më të mira për këtë kopsht, por e ngarkuar edhe më shumë me përgjegjësi për të bërë më të mirën për vogëlushët tanë.

Kjo vizitë sot në kopshtin Nr.9 në Vlorë, më dhuron vërtet një kënaqësi të madhe dhe më jep forcën dhe vullnetin maksimal që të jem edhe më tepër e angazhuar, që së bashku me edukatorët, prindërit, strukturat arsimore dhe komunitetin, jo vetëm në qarkun e Vlorës por në të gjithë Shqipërinë, të mund të bëjmë më shumë për këta vogëlushë.

Më shumë sesa në formën e një inspektimi, vij sot këtu në formën e një dëshire të kahershme timen, për të njohur nga afër të gjithë aktivitetin e kopshteve dhe të vogëlushëve, ku u shërbehet qytetarëve të dorës së parë të Shqipërisë. Ajo që duhet të ndodh dhe do të ndodhë çdo ditë është që shërbimi të jetë, ashtu sikurse dhe këta qytetarë të dorës së parë të Vlorës dhe të Shqipërisë e meritojnë”.