Ministry of Education and Sports

Tryezë diskutimi me Komisionin Evropian per Ligjin e ri të Arsimit të Lartë

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Komisionit Evropian zhvilluan sot, një tryezë diskutimi në lidhje me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, “Shqipëria në hapësirën evropiane të arsimit të lartë”.

Ministrja Lindita Nikolla tha se procesi për hartimin e projektligjit që pritet të miratohet në Kuvend, ka qenë një proces i gjatë dhe profesional, ku janë përfshirë gjithë grupet e interesit.

“Një proces i ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm ka sjellë një produkt që ne ua kemi parashtruar edhe partnerëve tanë të rëndësishëm dhe nga të cilët kemi marrë përgëzime”, tha Ministrja.

I pranishëm në këtë tryezë ishte Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne, i cili shprehu vlerësimin e tij për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë në vendin tonë.

Z.Monne, tha se shihet qartë, edhe nga një këndvështrim i jashtëm se Shqipëria ka bërë një progres të madh në drejtim të arsimit të lartë.

“E kam lexuar projektligjin dhe raportin e Z.Arjan Gjonca. Ky raport është një përgjigje sistematike e Shqipërisë për probleme specifike të arsimit të lartë”, tha Z. Monne.

Duke renditur arsyet se përse ai e vlerëson në këtë mënyrë ligjin e ri, Z.Monne tha se së pari ligji fillon me një vizion. Vizionin se shpenzimet për arsimin nuk janë kosto por investim. Sipas tij, kjo reformë nuk është për rektorët, por për qytetarët për publikun. 

“Neni 1 Misioni i arsimit të lartë Arsimi i lartë është e mirë dhe përgjegjësi publike dhe ka për mision…”

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, vlerësoi faktin se ky ligj i ri sjell ndryshime në mentalitet si dhe gjithë procesin që u realizua për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë.

“Nëse do të kishte konsensus për një ligj të tillë, atëherë kjo do të tregonte se substanca e ligjit nuk është ndryshuar shumë. Mendoj se qëllimi i procesit nuk ka qenë që të arrinte konsensus, por që të kuptohej qartë se cili ishte vizioni ligjit ”, u shpreh Z. Monne.

Më tej në fjalën e tij, Z.Monne tha se sfidat do të fillojnë pasi ligji të jetë miratuar dhe të fillojë implementimi i tij.

“Nëse ky ligj miratohet, aty do të jetë një fillim i ri. Sfidat do të fillojnë vetëm pas miratimit të tij, sepse do të duhet të kalohet nga vizioni, nga strategjia në implementim. Për këtë do të duhen tre gjera, lidership, dëshirë politike, fokus; së dyti të ndryshohet mendësia dhe së treti përfshirja dhe pjesëmarrja”, tha Z.Monne.

Në tryezën e diskutimit ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili, e cilësoi procesin për draftimin e Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, si një nga proceset më të mirë organizuar dhe më gjithëpërfshirës që qeveria ka organizuar ndonjëherë në funksion të një reforme.

Kryeministri Rama, tha se ky ligj, duke vendosur konceptin e financimit me bazë performancën, i jep fund historive të kompromisit në dëm të cilësisë së arsimit.

Tryeza e diskutimit, vjen një ditë pas përfundimit të punimeve të Ministerialit për Arsimin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në datat 2 dhe 3 korrik në Vlorë.