Ministry of Education and Sports

Tryeza e Rektorëve me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla

Sot Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla priti në takim Rektorët e universiteteve publike të Republikës së Shqipërisë, për të diskutuar me ta mbi nisjen e reformës së financimit të arsimit të lartë publik.

Në këtë tryezë, Ministrja Nikolla i prezantoi Rektorët me “Kartën e Parimeve të Skemës së Finacimit për Arsimin e Lartë”. Kjo kartë është hapi i parë i ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në kuadër të reformës financiare për arsimin e lartë. Znj. Nikolla vuri theksin, tek skema e re e financimit mbi bazën e performancës dhe outputeve të sistemit arsimor, autonomia financiare dhe administrative, si dhe tek nevoja për ngritjen e një mekanizmi të ri të llogaridhënies ndaj shtetit dhe aktorëve të tjerë publik.

Në frymën e bashkëpunimit dhe hartimit të politikave me përfshirjen e palëve, Rektorët u ftuan që secili universitet të përgatisë një propozim për skemën e financimit, që të përmbushë parimet e paraqituara. Këto propozime do të paraqiten nga universitetet në një konferencë kombëtare për financimin e arsimit të lartë në mesin e Janarit.

Gjithashtu, Ministrja informoi Rektorët për nismën më të re të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit atë të nisjes së procesit të përzgjedhjes së një agjensie të huaj anëtare të ENQA-s (the European Association for Quality Assurance in Higher Education / Organizata Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), e cila do të bëjë akreditimin e të gjithë universiteteve publike dhe jo publike në Shqipëri.

Nga ana e tyre Rektorët duke e uruar Ministren Nikolla për detyrën, cilësuan si shumë pozitive hapat e para të bashkëpunimit mes MAS dhe Universiteteve, duke vlerësuar kontributin e Ministrisë së Arsimit në masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit të fillimit të vitit të ri akademik. Në të njëjtën kohë, angazhimi i MAS për fillimin e procesit të përzgjedhjes së një kompanie të huaj e cila do të mundësojë rivlerësimin e statusit të akreditimit të universiteteve, ishte një tjetër vlerësim dhe mbështetje që ju ofrua Ministres Nikolla nga Rektorët.

Tryeza e Rektorëve u mbyll me diskutime mbi sfidat, idetë, sugjerimet dhe frymën pozitive për një pikënisje dhe fazë të re bashkëpunimi ndërmjet MAS dhe Rektorëve të universiteteve publike të Republikës së Shqipërisë në funksion të fillimit të procesit për reformën në arsimin e lartë publik.